Zjarri përhapet me shpejtësi drejt Farkës së Madhe, rrezikohen banesat

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.08.2026, 21:21

Një situatë shqetësuese është raportuar mbrëmjen e sotme në juglindje të Tiranës, ku zjarri që ka nisur në Priskë të Madhe është përhapur në drejtim të Lundrës dhe Farkës së Madhe, duke iu afruar zonave të banuara.

Qytetarët raportojnë se flakët po marrin përmasa të mëdha dhe po përhapen me shpejtësi, të favorizuara edhe nga era. Në pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania, dallohet tymi i dendur që ka mbuluar zonën, ndërsa flakët shihen pas banesave në drejtim të lagjes Sheheler në Farkë.

“Urgjentisht ndërhyrje, po afrohet pranë shtëpive”, shkruan një prej banorëve, duke kërkuar shtim të forcave në terren dhe ndërhyrje nga ajri.

Banorët shprehen të alarmuar për situatën dhe thonë se gjatë gjithë ditës nuk kanë parë asnjë helikopter duke ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Ata kërkojnë që autoritetet të reagojnë me urgjencë, përpara se zjarri të mbërrijë te banesat.

Një tjetër qytetar raporton se në zonën mes Farkës dhe Priskës, disa banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë për shkak të rrezikut, duke shpëtuar vetëm bagëtitë. Ky informacion mbetet një dëshmi e banorëve dhe nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Situata mbetet shqetësuese, ndërsa zjarri vijon të përparojë drejt zonave të banuara. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e emergjencave për të shmangur përhapjen e flakëve drejt shtëpive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit