Në një peizazh ku transparenca dhe konkurrenca e drejtë janë shpesh fjalë të zbrazëta, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) duket se ka gjetur një formulë magjike për të kanalizuar miliona euro në drejtimin e duhur, drejt kompanisë "Fusha", në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha.
Kjo histori nuk është thjesht një rastësi e izoluar, por një dëshmi e fortë e një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të privilegjuar mes dy palëve.
Në rastin e fundit, ku një tender prej 8.8 milionë euro përfundoi në duart e "Fushës", për rregullimin, përmirësimin estetik dhe zhvillimin e zonave tregtare e turistike përgjatë bregdetit të Durrësit. Projekti, që do të menaxhohet në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe Bashkinë e Durrësit, do të zgjasë 18 muaj dhe do të zbatohet nga kompania "Fusha".
Në këtë tender, morën pjesë 8 kompani, por skema u zhvillua siç pritej. Në vend që të zgjidhej oferta më e volitshme, FSHZH-ja skualifikoi pesë kompani nga gara dhe e shpalli fituesen e zakonshme, "Fusha", me një ofertë prej mbi 6.5 MILIARDË lekësh. Ky vendim është edhe më i dyshimtë kur kuptohet se të gjitha pesë kompanitë e skualifikuara kishin ofruar çmime më të ulëta se fituesi.
Arsyeja zyrtare e FSHZH-së për skualifikimin e të gjitha këtyre kompanive ishte mungesa e "përvojës së suksesshme në punë të ngjashme", një pretekst burokratik që ka tendencë të shfaqet sa herë që një klient i preferuar është në lojë. Me një të rënë të lapsit, miliona lekë u hodhën në kosh, vetëm që paratë të shkonin te kompania "Fusha".
Ironia më e madhe në këtë histori është se, ndërsa kompania "Fusha" merr 6.5 MILIARDË lekë të tjera nga shteti, pronari i saj, Shkëlqim Fusha, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për "korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë" në lidhje me dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Për më tepër, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje", ndërsa hetimet janë duke zbardhur transaksione të fshehta financiare dhe kamuflim përfitimesh përmes OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.
Në dritën e këtyre fakteve, shpërdorimi i fondeve publike në FSHZH nuk duket më si një gabim, por si një praktikë e qëllimshme dhe e pandalshme. Hetimet e SPAK-ut dhe masa e sigurisë për Shkëlqim Fushën nuk duken si pengesë për Dritan Agollin dhe komisionin e tij, të cilët vazhdojnë të mbushin me thesë parash një kompaninë e preferuar, pa marrë parasysh pasojat për xhepat e qytetarëve.