Një situatë alarmante është raportuar pasditen e sotme pranë Urës së Spatharit në Vaun e Dejës, ku dy persona raportohet se janë marrë nga rrjedha e ujit në lumin Drin.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë momentet e frikshme kur persona që ndodheshin në lumë tërhiqen nga rryma dhe largohen me shpejtësi. Në breg shihen edhe banorë që përpiqen të ndjekin situatën dhe të ndërhyjnë.
Sipas dëshmive të banorëve, ngjarja ka ndodhur pas një rritjeje të menjëhershme të prurjeve të ujit. Sipas tyre, rrjedha e ujit u shtua pas hapjes së portave të një hidrocentrali, ndërsa kjo rrethanë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Banorët thonë se kanë njoftuar strukturat e emergjencës dhe se autoritetet kanë mbërritur në zonë. Megjithatë, në këto momente ende nuk ka informacion të konfirmuar për fatin e dy personave që dyshohet se janë marrë nga rrjedha.
Situata vijon të jetë kritike, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të frenuar rrezikun dhe për të bërë të mundur kërkimin e personave.
JOQ Albania vijon të ndjekë ngjarjen dhe do të sjellë çdo informacion të ri që konfirmohet nga autoritetet.