“Na marrin pasaportat dhe s’na i kthejnë”, filipinasja denoncon: Jemi si të burgosura të agjencive dhe punëdhënësve!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.08.2026, 22:37

Një shtetase filipinase ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë që, sipas saj, prek një numër të madh të punëtorëve filipinas në Shqipëri, duke pretenduar se pasaportat u mbahen nga punëdhënësit ose agjencitë e punësimit dhe se në disa raste përdoren si presion për rikthimin në punë.

Ajo tregon se ka mbërritur në Shqipëri më 11 shtator 2024, përmes agjencisë HRPCC, për të punuar te një punëdhënës i quajtur Beke Selimi.

Sipas saj, menjëherë pas mbërritjes pati një mosmarrëveshje lidhur me një nënkontratë që i kërkohej të firmoste dhe, pasi nuk pranoi, marrëdhënia e punës u ndërpre.

Denoncuesja pretendon se një tjetër punëtore filipinase, e cila ka përfunduar kontratën, nuk po merr pasaportën e saj, ndërsa punëdhënësi i ka thënë se duhet të rikthehet te agjencia për ta marrë atë.

Ajo thotë se këtë problem e ka ngritur edhe pranë autoriteteve të emigracionit, madje që një javë pas mbërritjes në Shqipëri, por pretendon se zgjidhja që i është ofruar ka qenë kthimi në Filipine.

“Është sikur konfiskimi i pasaportave dhe dokumenteve të identitetit të jetë bërë normalitet këtu”, shprehet ajo.

Denoncuesja pretendon gjithashtu se një numër i madh filipinasish ndodhen në situata të parregullta në Shqipëri dhe kërkon që autoritetet të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje.

Por një tjetër zhvillim që ajo i ka përcjellë redaksisë është edhe më konkret. Sipas saj, tetë shtetas filipinas ishin paraqitur në emigracionin në Sarandë, duke pretenduar se nuk kishin marrë pagat dhe se pasaportat e tyre mbaheshin nga punëdhënësit.

Sipas komunikimeve të dërguara nga denoncuesja, këtyre personave u është kërkuar të paraqiten në Stacionin e Policisë Himarë. Më pas, ajo thotë se ka humbur kontaktin me ta dhe kërkon që situata e tyre të verifikohet.

JOQ Albania ka në dispozicion komunikimet e denoncueses dhe dokumentacionin që ajo pretendon se provon rastet e përmendura. Pretendimet për kushtet e punës, mbajtjen e pasaportave, pagat e papaguara dhe statusin e punëtorëve mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet.

Redaksia e JOQ Albania u bën thirrje kompanive, agjencive dhe institucioneve përkatëse të japin sqarimet e tyre mbi këto pretendime, veçanërisht lidhur me mbajtjen e pasaportave, pagat e papaguara dhe situatën e punëtorëve filipinas. Redaksia mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim apo sqarim zyrtar lidhur me këto pretendime.

Shënim: Imazhi i përdorur në lajm është gjeneruar me AI për qëllime ilustrimi dhe nuk paraqet personat apo ngjarjen konkrete të përmendur në artikull.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit