Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 7.4 që goditi perëndimin e Kolumbisë ditën e hënë ka lënë pas skena të vërteta paniku, ndërsa bilanci i viktimave ka kaluar 200 persona. Mes dhjetëra pamjeve dramatike që po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale, një nga më të frikshmet tregon momente tmerri të disa punëtorëve ndërtimi, të cilët lëkundja e fuqishme i ka zënë në majë të një ndërtese shumëkatëshe në proces ndërtimi.
Të ndodhur dhjetëra metra mbi tokë, pa asnjë mundësi për t'u larguar apo për të zbritur me shpejtësi, punëtorët janë detyruar të mbahen fort pas strukturave metalike të papërfunduara për t'i bërë ballë lëkundjeve dramatike.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua në rajonin Chocó, pranë zonës San José del Palmar, por forca e tij shkundi me dhjetëra qytete kryesore si Cali, Pereira dhe Manizales, ku u raportuan shembje ndërtesash dhe dëme masive strukturore. Lëkundjet e fortë u ndjenë deri në kryeqytetin Bogota, si dhe në vendet fqinje si Panama dhe Ekuador.
Autoritetet lokale dhe qeveria kolumbiane kanë shpallur menjëherë gjendjen e emergjencës kombëtare, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në garë me kohën për të nxjerrë banorët dhe punëtorët e bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.