Një taksist nga Saranda i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një person, i cili sipas tij prej disa ditësh po ushtron aktivitet si taksi në mënyrë të fshehtë dhe po tenton t’u marrë pasagjerët taksistëve të tjerë.
Sipas denoncuesit, personi është shfaqur prej rreth 5 ditësh në zonën e terminalit të autobusëve, ku ndodhen edhe stacionet e taksive.
Situata është tensionuar sot, kur personi është afruar pranë taksistëve. Në videon e dërguar në redaksi shihet ai brenda automjetit, ndërsa gjatë debatit prezantohet si punonjës policie dhe pretendon se është dërguar nga dikush tjetër.
“Jam polic”, dëgjohet të thotë personi në video, ndërsa më tej u thotë taksistëve se do të shkojë në komisariat.
Në një tjetër moment dëgjohet edhe shprehja: “Mua më ka sjellë dikush këtu”, por personi nuk tregon se kush është ai që e ka dërguar.
Taksistët thonë se janë ndjerë të kërcënuar nga mënyra se si personi është prezantuar dhe pretendojnë se qëllimi i tij ka qenë t’i trembte dhe t’u merrte pasagjerët.
“Që të na trembte edhe të merrte pasagjerët dhe të vazhdonte punën aty”, shprehet denoncuesi.
Sipas tij, për ngjarjen i janë drejtuar policisë, por deri në momentin e denoncimit personi nuk ishte ndaluar.
Pas përplasjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendi.
Nuk dihet nëse personi është realisht punonjës policie apo nëse ka ndonjë autorizim për të vepruar në emër të policisë, ndërsa pretendimet e taksistëve mbeten për t’u verifikuar nga institucionet.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: Nëse një person prezantohet si polic dhe përdor këtë status gjatë një konflikti me qytetarë, a është vërtet punonjës policie dhe në emër të kujt ka vepruar?
Taksistët kërkojnë që policia të verifikojë rastin dhe të sqarojë situatën.