“Prej dy vitesh nuk thaj dot rrobat në ballkon nga kondicionerët e fqinjëve, Bashkia më sorollat pa zgjidhje”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.08.2026, 19:08

Një qytetare nga Durrësi, e cila jeton prej vitesh në Itali, por gjatë verës rikthehet në banesën e saj në lagjen nr.5 të qytetit bregdetar, ka sjellë në redaksinë e JOQ Albania një problem që mund të duket banal, por që prej dy vitesh nuk ka gjetur zgjidhje.

Ajo thotë se tubat e kondicionerëve të fqinjëve në katin e tretë dhe të katërt janë lënë të varur dhe uji që rrjedh prej tyre përfundon në ballkonin e saj, duke i lagur rrobat që vendos për t’i tharë. Sipas saj, uji bie gjithashtu mbi kondicionerin dhe depozitën e saj.

Qytetarja thotë se fillimisht është përpjekur ta zgjidhë me mirëkuptim me fqinjët, por pa sukses. Për këtë arsye, është drejtuar disa herë te zyra e administrimit të Njësinë Administrative nr.3, e cila përfshin edhe lagjen nr. 5 të qytetit bregdetar.

Në videon e dërguar në redaksi, ajo shkon për herë të tretë në zyrë për të kërkuar një zgjidhje, por administratori i njësisë administrative, Petrit Ismailati, ndodhej me pushime. Në vend të tij, ajo bisedon me një inspektor, emrin e të cilit thotë se nuk ia kanë bërë të ditur.

“Është hera e tretë që vijmë këtu dhe nuk marrim asnjë lloj feedback”, shprehet qytetarja.

Inspektori i përgjigjet se nuk mund të marrë vendim për këtë çështje dhe se duhet të presë rikthimin e administratorit.

“Unë jam inspektor. Nuk marr vendime. I merr kryetari vendimet”, dëgjohet të thotë ai.

Qytetarja shprehet e revoltuar dhe thotë se, edhe pse jeton jashtë dhe ndodhet në Durrës vetëm rreth dy muaj gjatë verës, vijon të paguajë taksat vendore.

“Si ka mundësi të mos zgjidhet ky problem? Kaq indiferencë?”, shprehet ajo.

Ajo thotë se nuk kërkon asgjë të jashtëzakonshme, por thjesht ndërhyrjen e institucionit për një problem që mund të zgjidhej lehtësisht.

“Është turp për një gjë kaq banale, pale të kisha diçka më të rëndë se kjo”, shprehet qytetarja.

Rasti ngre një pyetje të thjeshtë: Nëse një qytetar sorollatet tre herë për një problem të tillë, çfarë ndodh me ata që përballen me problematika shumë më të rënda?

Qytetarja kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe të japin një zgjidhje konkrete.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit