BE lajmëron: Pesticide mbi normën te çaji “Matcha” në Shqipëri

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.08.2026, 18:49

Teksa temperaturat e larta të verës po përvëlojnë vendin dhe të gjithë kërkojnë një pije freskuese për t'i bërë ballë të nxehtit, një nga produktet më të përdorura të momentit po ngre një shqetësim të madh për sigurinë ushqimore. Çajrat pluhur me origjinë aziatike janë kthyer prej kohësh në një trend masiv që shërbehet gjerësisht në rrjetet e lokaleve më me emër në të gjithë Shqipërinë, si dhe shiten të paketuara në çdo supermarket. Megjithatë, pas shkëlqimit të këtij trendi fshihet një paralajmërim serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve, i njohur si RASFF pranë Komisionit Evropian, ka njoftuar zyrtarisht se në çajin japonez "Matcha" janë detektuar nivele pesticidesh shumë mbi normat e lejuara me ligj. Paralajmërimi fillestar ka mbërritur nga Gjermania pas analizave të imtësishme laboratorike të kryera mbi produktin. Menjëherë pas kësaj, përmes sistemit të rreptë të gjurmueshmërisë, RASFF ka përfshirë si vende për ndjekje Shqipërinë, Poloninë dhe Zvicrën, pasi produkti i ndotur është shpërndarë dhe gjendet tashmë aktivisht në tregjet e këtyre shteteve.

Nga analizat e kryera në çajin pluhur nga Japonia kanë rezultuar tri pesticide të ndryshme jashtë çdo standardi të lejuar. Më i rrezikshmi ndër to është pesticidi Lufenuron, i cili ka rezultuar në masën 0.16 miligramë për kilogram, nga 0.050 miligramë për kilogram që është limiti maksimal i lejuar. Po ashtu, pesticidi Flonicamid ka kapur shifrat e 0.70 miligramë për kilogram, duke kaluar me shtatë herë kufirin e lejuar prej 0.10 miligramësh. Ndërkohë, edhe pesticidi Tebuconazole ka rezultuar në masën 0.15 miligramë për kilogram, kundrejt normës normale prej 0.05 miligramësh.

Situata paraqitet shqetësuese pasi çaji "Matcha" po konsumohet masivisht çdo ditë në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, ku qytetarët e porosisin pa e ditur rrezikun që i kanoset shëndetit të tyre. Ndërkohë që produkti vazhdon të qëndrojë në raftet e supermarketeve dhe në menutë e lokaleve, mbetet nevojë urgjente ndërhyrja e autoriteteve për verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të këtyre loteve me substanca të dëmshme nga tregu shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit