SI SOT/ Dy vite nga vdekja e Egli Progës, si JOQ Albania zbardhi të vërtetën

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.08.2026, 14:57

Kanë kaluar dy vite nga vdekja tragjike e 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec, një ngjarje që në orët e para u raportua nga autoritetet si një rrëzim aksidental. Por ishte raportimi i JOQ Albania dhe denoncimet e familjarëve e qytetarëve që ngritën pikëpyetje të forta mbi këtë version. Ndërsa institucionet flisnin për një person që ishte rrëzuar në rrugë, dëshmitë dhe informacionet e publikuara nga JOQ sollën në vëmendje pretendimin se Proga ishte dhunuar nga Denis Meçe, nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gorës. Presioni publik bëri që ngjarja të merrte një tjetër drejtim dhe hetimi të fokusohej te dhuna që i ishte ushtruar 42-vjeçarit. Ajo që në fillim u trajtua si një “aksident”, u shndërrua në një çështje të rëndë penale.

Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe çështja është dërguar për gjykim ndaj pesë personave. Denis Meçe nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gorës, dhe Leonidha Guçe akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim, ndërsa Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku akuzohen për vepra të tjera të lidhura me moskallëzimin e krimit dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës, sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria. Ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se Proga humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga goditja. Pra, versioni i parë i një “rrëzimi” nuk qëndroi përballë provave dhe hetimit të mëtejshëm.

Por pyetja që mbetet dy vite më pas është e thjeshtë, çfarë do të kishte ndodhur nëse JOQ Albania nuk do ta raportonte ngjarjen dhe familja nuk do të ngrinte zërin? Nga një “aksident” i raportuar fillimisht, historia kaloi në një dosje vrasjeje dhe tashmë ndodhet përpara drejtësisë. Megjithatë, për familjen Proga, drejtësia nuk është vetëm dënimi i autorëve të dyshuar. Është edhe përgjigjja se përse një ngjarje e rëndë u trajtua fillimisht si një rrëzim dhe pse u deshën denoncime, raportime dhe presion publik që versioni i ngjarjes të vihej seriozisht në pikëpyetje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit