Tërmeti 7.4 ballë tronditi Kolumbinë, 164 të vdekur dhe qindra të zhdukur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.08.2026, 09:24

Të paktën 164 persona kanë humbur jetën pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi të hënën rajonin e prodhimit të kafesë në perëndim të Kolumbisë. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Qytetet Cali dhe Pereira janë ndër zonat më të prekura. Në Cali janë raportuar dhjetëra viktima dhe dëme të mëdha në ndërtesa, ndërsa pjesë të një spitali, përfshirë ambiente të pediatrisë, u shembën duke bllokuar pacientë.

Në Pereira, autoritetet raportuan 66 viktima, ndërsa në provincën Choco, pranë epiqendrës, u konfirmuan edhe 13 të vdekur.

Policia, ushtria dhe vullnetarë po punojnë pa ndërprerje për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat. Në Cali janë dërguar rreth 1,000 pjesëtarë të forcave të sigurisë, pas raportimeve për grabitje. Qyteti, së bashku me Pereiran, vendosi shtetrrethim gjatë natës.

Tërmeti është cilësuar ndër më të fuqishmit që ka goditur Kolumbinë në dekadat e fundit dhe ka rikthyer kujtimet e tërmetit të vitit 1999, i cili shkaktoi më shumë se 1,000 viktima në të njëjtin rajon.

Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete të rënda, ndërsa në disa raste kanë përdorur edhe duart për të kërkuar të mbijetuarit nën rrënoja. Banorë dhe vullnetarë janë bashkuar me operacionet e shpëtimit, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara për shkak të rrezikut të shembjeve të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit