Vatrat e zjarrit në zonën e Zidonit dhe në lagjen Bojë të Krujës kanë vijuar të jenë aktive edhe gjatë natës. Forcat zjarrfikëse kanë qenë në terren për përballimin e flakëve, ndërsa mëngjesin e sotëm kanë nisur edhe operacionet nga ajri për shuarjen e plotë të zjarrit.
Dy helikopterë të ushtrisë vijojnë të hedhin ujë mbi vatrat e zjarrit, ndërsa situata raportohet se po shkon drejt neutralizimit. Puna e forcave në terren vijon për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa, por dëmet në ekosistem janë të pallogaritshme. Intensiteti i lartë i flakëve, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, duke shkaktuar dëme të mëdha në florën dhe faunën e zonës.