Noeli i vogël nuk ia doli dot, talenti 14-vjeçar ndërron jetë pas betejës me tumorin në kokë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.08.2026, 22:21

Një lajm i dhimbshëm ka mbërritur për familjen Cura dhe të gjithë ata që, një vit e gjysmë më parë, u bashkuan në përpjekjen për t’i dhënë një shans 14-vjeçarit Noel Cura.

Noeli, talent i ri i futbollit dhe pjesë e Akademisë së Futbollit Apolonia, ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Në janar të vitit 2025, kur ishte vetëm 13 vjeç, Noeli u diagnostikua me një tumor agresiv në kokë dhe kishte nevojë urgjente për trajtim jashtë Shqipërisë. Më 15 janar 2025, edhe JOQ Albania iu bashkua apelit për ndihmë, duke publikuar thirrjen për mbledhjen e fondeve të nevojshme për kurimin e tij.

Reagimi i qytetarëve ishte i jashtëzakonshëm dhe shuma e nevojshme u sigurua në një kohë rekord. Falë solidaritetit të shqiptarëve, Noeli u dërgua jashtë vendit për të marrë trajtimin, ndërsa familja dhe të gjithë ata që e mbështetën shpresonin se ai do ta fitonte këtë betejë dhe do të rikthehej pranë tyre e në fushën e futbollit.

Por sëmundja rezultoi tepër agresive. Pavarësisht trajtimeve, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai u kthye në Shqipëri, ku sot ndërroi jetë.

Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur babai i tij, avokati Artan Cura.

“Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh, biri im”, shkroi ai.

Dhimbjen për ndarjen e parakohshme të Noelit e ka shprehur edhe shkolla “Andon Xoxa”, ku ai ishte nxënës i klasës së VIII-të. Për familjarët, shokët, mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tij, Noeli do të mbetet një jetë e re e ndërprerë shumë herët.

Një vit e gjysmë më parë, mijëra shqiptarë u bashkuan për t’i dhënë 13-vjeçarit një mundësi për të luftuar. Sot, pas kësaj beteje të dhimbshme, mbetet kujtimi i një djali të ri që e deshi futbollin dhe që, për një moment, bashkoi rreth vetes një komunitet të tërë në emër të shpresës.

Prehu në paqe, Noel!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit