Nga Ministria e së Vërtetës.
Në një konferencë urgjente për shtyp, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar misterin se si një pallat 5-katësh mbin në mes të Qeparosë pa e parë asnjë institucion. Sipas hetimeve paraprake, ndërtesa nuk është ngritur me beton, por është thirrur nga qënie të tjera ekzistenciale përmes magjisë së zezë.
“Të gjithë pyesin: Si ka mundësi që u ngritën 5 kate dhe s’e pa policia, IMT-ja apo sateliti Albania 1?” u shpreh Rama. “Përgjigjja është e thjeshtë: përdorimi i magjisë së zezë. Godina ka qenë e padukshme për syrin e policit, e cila aktivizohej vetëm kur makina e patrullës kalonte pranë e mbyllte syrin e majtë.”
Pas pezullimit të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Himarës dhe shkrirjes së IMT-së lokale, ish-zyrtarët u mbrojtën duke thënë se bëhet fjalë për forca okulte.
“Ne kalonim çdo ditë aty. Shihnim vetëm bar, ullinj dhe zana,” deklaroi një nga të pezulluarit. “Ndërkohë, po aty afër kapa një fshatar që po lyente me gëlqere murin e shtëpisë — atë e pashë menjëherë sepse nuk përdorte magji, por furçë!”
Edhe kryebashkiaku Vangjel Tavo konfirmoi fenomenin paranormal: “U thosha inspektorëve të kontrollonin çdo centimetër. Por sa herë i afroheshin zonës, dëgjonin zëra që thoshin: ‘Këtu s’ka asgjë, vazhdoni rrugën’.”
Qeveria njoftoi se IKMT-ja do të pajiset tashmë me ujë të bekuar dhe pasqyra të posaçme anti-magji.