Një 32-vjeçar humbi jetën tragjikisht pasditen e sotme në liqenin e Pogradecit, pasi u hodh nga një varkë dhe nuk mundi të dilte më në sipërfaqe.
Sipas informacioneve paraprake, i riu ndodhej rreth 150 metra larg bregut kur u hodh në ujë për t’u larë. Pak momente më vonë, ai hasi vështirësi dhe nuk mundi të rikthehej në sipërfaqe.
Pas ngjarjes, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetare, e cila pretendon se ka qenë e pranishme në zonën e plazhit në momentin e tragjedisë.
Sipas qytetares, në zonë nuk ka pasur roje bregdetare apo vëzhgues plazhi dhe ndërhyrja për gjetjen e të riut është kryer nga pushues të rastësishëm që ndodheshin në ujë.
Denoncuesja ngre edhe një pretendim veçanërisht të rëndë lidhur me mundësinë e shpëtimit të të riut. Ajo shprehet se, nëse në vendngjarje do të kishte polumbarë ose një vëzhgues plazhi që do të jepte ndihmën e parë dhe do të ndërhynte menjëherë, 32-vjeçari mund të kishte pasur mundësi të shpëtonte.
“I riu mund të shpëtonte nëse do të jepej ndihma e parë nga polumbarë apo vëzhguesi i plazhit”, pretendon qytetarja.
Ajo ngre gjithashtu pikëpyetje mbi ndërhyrjen e Policisë Kufitare. Sipas saj, efektivët që ndodheshin pranë varkës nuk janë futur në ujë për të kërkuar të riun, ndërsa në kërkim janë futur persona të tjerë që ndodheshin në zonë.
“Policia Kufitare vjen me duar në xhepa, asnjë nuk zhytej për të nxjerrë trupin. Janë zhytur çuna që ndodheshin në ujë, mes tyre dhe im vëlla, ku kanë nxjerrë trupin e pajetë”, shprehet ajo.
Denoncimi ngre kështu pikëpyetje mbi masat e sigurisë në zonë dhe mënyrën se si u menaxhua emergjenca pas zhdukjes së 32-vjeçarit.
A ka pasur në zonë roje bregdetare apo personel të specializuar për emergjencat në ujë? A ka pasur polumbarë në dispozicion? Cili ka qenë protokolli i ndjekur nga momenti i njoftimit dhe përse, sipas denoncueses, në kërkim janë futur pushues të rastësishëm?
JOQ Albania u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të japin një sqarim të plotë dhe zyrtar mbi këto pretendime, veçanërisht mbi praninë e strukturave të sigurisë në zonë, kohën e reagimit, mënyrën e zhvillimit të kërkimeve dhe ndërhyrjen e personelit të specializuar.