Policia e Kosovës ka nisur kontrolle në disa lokacione në fshatrat Jabukë dhe Prevllak të komunës së Zubin Potokut, nën dyshimin për posedim të armëve ilegale.
Aksioni vjen pas kontrolleve të zhvilluara ditëve të fundit në zona të tjera të kësaj komune. Së fundmi, Policia kontrolloi disa objekte në Crepulë, ndërsa më herët edhe në Dren, ku një person u arrestua dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Paralelisht, Policia prej më shumë se një jave po zhvillon hetime lidhur me dyshimet për krime lufte në territorin e Zubin Potokut. Deri tani, tre persona janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar për intervistim.
Në tri lokacione në Zubin Potok ndërkohë po zhvillohen gërmime në kërkim të mbetjeve mortore.