Begaj persekuton 10 talentet kuqezi duke u vonuar pasaportat, për punëtorët e huaj dyert hapur

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 10.08.2026, 15:42

Në Shqipërinë e vitit 2026 duket se dyert hapen më shpejt kur kërkohet krah i lirë pune sesa kur kërkohet talent për fanellën kuqezi. Prej vitesh vendi po mbushet me punëtorë të ardhur nga India, Pakistani, Bangladeshi, Filipinet, Vietnami e vende të tjera, të sjellë nga bizneset si zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore. Një model që është kritikuar vazhdimisht për rrezikun e krijimit të një tregu ku punëtori më i lirë zëvendëson atë që kërkon një pagë dinjitoze, duke ushtruar presion edhe mbi pagat dhe kushtet e punës së shqiptarëve.

Për ta thënë me pak satirë: për të importuar krahë pune nga mijëra kilometra larg, Shqipëria duket se e ka gjetur rrugën; për t’u dhënë shtetësinë rreth 10 talenteve që mund të veshin fanellën kuqezi, papritur dalin semaforët e kuq të burokracisë.

Pikërisht këtu nis absurditeti që ka sjellë edhe përplasjen publike mes FSHF-së dhe Presidencës së Bajram Begajt. Përgjegjësi i skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, thotë se Federata ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial, të cilët synohen për ekipet kombëtare të moshave, por procedurat e pajisjes së tyre me shtetësi shqiptare kanë mbetur në pritje për shkak të ndryshimeve ligjore dhe nevojës për miratimin e një VKM-je.

Dhe ndërsa letrat presin, ora sportive e këtyre të rinjve nuk ndalon. FSHF i ka kërkuar publikisht Presidentit Bajram Begaj shpjegime për vonesat, duke ngritur edhe një pyetje që e bën situatën akoma më të sikletshme për Presidencën: përse në raste të tjera procedurat kanë ditur të ecin, ndërsa për talentet që Shqipëria kërkon t’i afrojë me Kombëtaren ngecin?

Osmani sjell konkretisht rastin e futbollistit të Përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani. Ai thekson se problemi nuk është as Rrahmani dhe as lojtarët nga Kosova, por standardi i procedurës: si është e mundur që në një rast dokumentacioni ecën dhe përfundon, ndërsa dosjet e lojtarëve që FSHF kërkon t’i veshë kuqezi vazhdojnë të qëndrojnë në pritje?

Por problemi nuk mbaron te një dosje që ka zënë pluhur në administratë. Osmani paralajmëron se vonesat mund të kenë pasoja konkrete, pasi futbollistët e rinj kanë cikle të përcaktuara moshe dhe një kohë të kufizuar për t’u aktivizuar me ekipet kombëtare. Me pak fjalë, ndërsa Presidenca pret procedurën, Shqipëria mund të humbasë lojtarin.

“Rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron”, është alarmi i ngritur nga Osmani. Dhe këtu absurditeti merr përmasa edhe më të mëdha: këta të rinj mund të mos humbasin sepse nuk janë të zotë në fushë, por sepse shteti shqiptar nuk arrin t’u mbarojë në kohë disa letra.

E gjitha bëhet edhe më ironike kur shihet përballë politikës që vetë Shqipëria po ndjek me tregun e punës. Për punëtorët që bizneset sjellin nga India, Pakistani, Bangladeshi, Filipinet apo Vietnami ndërtohen mekanizma për t’i futur sa më shpejt në tregun shqiptar, në një realitet ku përdorimi i fuqisë më të lirë punëtore ngre prej kohësh debat për pagat dhe konkurrencën me punëtorin vendas. Por kur në derë trokasin talentet që Shqipëria vetë i ka kërkuar për t’i veshur kuqezi, papritur shteti kujtohet se ekzistojnë procedurat, VKM-të dhe pritja.

Në fund, Osmani i kërkon Presidencës së Bajram Begajt pikërisht të njëjtin seriozitet dhe urgjencë që është treguar në raste të tjera. Sepse nëse shteti arrin të gjejë rrugët administrative kur ka interes dhe nevojë, duhet të shpjegojë pse nuk i gjen dot edhe për rreth 10 të rinj që mund të përfaqësojnë Shqipërinë.

Në këtë pikë, pyetja për Begajn pothuajse shkruhet vetë: ku duhet të punësohen këta talente që t’u ecin letrat më shpejt? Në Kombëtaren shqiptare, apo duhet të aplikojnë fillimisht për ndonjë kantier?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit