“Jeta jote kaq e pati!” Urdhrin për sulmin ndaj Denis Bajrit e dhanë Licët, Ibrahimi foli vetë në telefon?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.08.2026, 09:27

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja e ndodhur në burgun e Fierit, ku i burgosuri Denis Bajri, i njohur edhe si Brajovic, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

Në dëshminë e dhënë pas incidentit, Bajri ka pretenduar se pas sulmit qëndronte kundërshtari i tij, Ibrahim Liçi, i cili, sipas tij, e ka kërcënuar përmes një telefonate pak para përleshjes.

Bajri ka deklaruar se Aldo Gjini i kishte kërkuar një takim dhe më pas ishte shfaqur në qelinë e tij së bashku me Jurgen Zotajn.

Ai ka treguar se gjatë takimit, Zotaj i ka dhënë një telefon celular, përmes të cilit ai ka komunikuar me Ibrahim Liçin. Sipas versionit të tij, Liçi e ka kërcënuar me fjalët: “Jeta jote kaq e pati”.

Pas telefonatës, situata, sipas dëshmisë, është përshkallëzuar. Bajri pretendon se Jurgen Zotaj ka nxjerrë një thikë artizanale dhe ka tentuar ta sulmojë.

“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zotajn. Zotaj më dha një telefon; në linjë ishte Ibrahim Liçi. Liçi më tha në telefon: ‘Jeta jote kaq e pati’. Në ato momente, Zotaj tentoi të më sulmonte me thikë”, ka deklaruar Bajri.

Përleshja përfundoi me plagosjen e Bajrit dhe Zotajt, të cilët u dërguan për trajtim mjekësor.

Ngjarja ka sjellë gjithashtu masa ndaj punonjësve të burgut. Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve vendosi përjashtimin e tetë efektivëve të policisë dhe referimin e rastit në Prokurori për dyshime mbi shpërdorimin e detyrës.

Në fokus të hetimit janë edhe lëvizjet e të dënuarve dhe të paraburgosurve brenda ambienteve të burgut, si dhe mënyra se si një telefon celular, i ndaluar në qeli, ka mundur të futet dhe të përdoret.

Për ngjarjen po vijon hetimi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të punonjësve që kanë qenë në shërbim.

Në anën tjetër, Komisioni i Disiplinës ka vendosur izolimin për tre muaj të Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotajt. Gjini është transferuar në burgun e Drenovës, ndërsa Zotaj është dërguar në burgun e Burrelit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit