Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për problematika me kompaninë ajrore Wizz Air, këtë herë nga pasagjerë që ndodhen në aeroportin London Luton dhe presin prej rreth 12 orësh për të udhëtuar drejt Tiranës.
Sipas denoncuesit, fluturimi London Luton–Tiranë është shtyrë vazhdimisht, me intervale prej 3-4 orësh, ndërsa pasagjerët kanë mbetur në aeroport pa një informacion të qartë se çfarë po ndodh.
Pritja, sipas tij, ka nisur që prej orës 13:00 dhe fluturimi është shtyrë vazhdimisht, duke e çuar kohën e qëndrimit në aeroport në rreth 12 orë.
Situata është edhe më e vështirë për familjet që ndodhen mes pasagjerëve.
“Këtu ka fëmijë të vegjël me prindër dhe 12 orë po kthehen në torturë në aeroport”, shkruan qytetari.
Denoncuesi pretendon gjithashtu se në aeroport nuk ka një sportel të Wizz Air ku pasagjerët të mund të marrin informacion mbi situatën.
“Askush nuk jep shpjegim për asgjë”, shprehet ai, duke shtuar se në aeroport ndodhen edhe pasagjerë të tjerë shqiptarë dhe se dy fluturime drejt Shqipërisë janë devijuar.
Sipas tij, edhe përmes numrit të kontaktit të kompanisë nuk ka mundur të marrë një përgjigje konkrete. Telefonata e orienton drejt një sistemi automatik dhe më pas drejt chat-it, ndërsa përgjigjet që ka marrë aty, sipas tij, kanë qenë automatike.
“Chati dërgon përgjigje robotike”, pretendon denoncuesi.
Ky është një tjetër rast i raportuar në redaksinë e JOQ Albania për probleme me fluturimet e Wizz Air, përfshirë vonesa dhe anulime, ku pasagjerët shprehen të pakënaqur me mënyrën e komunikimit dhe informimit nga kompania.
Në rastin konkret, qytetarët pretendojnë se kanë kaluar orë të tëra në aeroport, mes tyre edhe familje me fëmijë të vegjël, pa marrë një sqarim të qartë mbi arsyen e vonesës dhe kohën e nisjes.
JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi nga Wizz Air për arsyen e situatës së krijuar me fluturimin London Luton–Tiranë dhe për informacionin që u është dhënë pasagjerëve.