I riu shqiptar shpëton burrin që po mbytej në plazhin e New Jersey-t, u fut në det sapo dëgjoi thirrjet për ndihmë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.08.2026, 23:43

Një ditë vere që po e kalonte me familjen në plazhin e Long Branch në New Jersey, për Xhemal Lanicën u shndërrua papritur në një moment që, siç tregon vetë, do ta kujtojë gjatë gjithë jetës.

Shqiptari nga Ulqini, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhej në plazh me familjen kur dëgjoi britma që vinin nga deti.

“HELP! HELP!”, dëgjoi ai të thërriste një burrë që ndodhej në vështirësi në ujë.

Lanica tregon se menjëherë pa drejtimin e britmave dhe vuri re një burrë rreth të 50-ave, i cili po përballej me rrezikun e mbytjes.

Pa humbur kohë, ai u fut në det për t’i ardhur në ndihmë, ndërsa pak çaste më vonë në operacionin e shpëtimit u përfshinë edhe rojet bregdetare të Long Branch Beach.

Ajo që pasoi zgjati më shumë se 10 minuta, gjatë të cilave Lanica dhe ekipet e shpëtimit punuan së bashku për ta nxjerrë burrin në breg.

Në fund, përpjekja rezultoi e suksesshme. Burri u nxor në breg i gjallë dhe jashtë rrezikut.

Lanica ka ndarë me JOQ Albania edhe videon e momentit të shpëtimit, ndërsa në rrëfimin e tij shprehet se kjo ngjarje i kujtoi edhe një herë se sa e paparashikueshme mund të jetë jeta.

Ai vlerëson veçanërisht reagimin e rojeve bregdetare, të cilët iu bashkuan menjëherë përpjekjes për shpëtimin e burrit.

“Jam mirënjohës që u gjenda aty në atë moment, që munda të veproja kur dikush kishte më së shumti nevojë për ndihmë dhe që pata mundësinë të isha pjesë e atij ekipi shpëtimi”, shprehet Lanica.

Xhemal Lanica është kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Ulqinit në New York dhe është vlerësuar më herët nga Këshilli Bashkiak i New York-ut me titullin “Qytetar Nderi” në moshën 26-vjeçare, duke u bërë shqiptari më i ri në SHBA me këtë titull prestigjoz.

I ardhur në SHBA nga Ulqini në vitin 2018, Lanica është angazhuar në përfaqësimin e komunitetit shqiptar dhe në aktivitete në mbështetje të shqiptarëve në Mal të Zi.

Këtë herë, megjithatë, historia e tij vjen nga një tjetër moment: një ditë e zakonshme në plazh, e cila për pak minuta u kthye në një përpjekje për të shpëtuar jetën e një njeriu.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit