“Polici në doganën e Qafë-Botës s’më la të kaloja, më mori çelësat e makinës”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.08.2026, 18:44

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar sjelljen e punonjësve të Policisë në pikën kufitare të Qafë-Botës, gjatë një incidenti të ndodhur në momentin e kalimit të tij në kufi.

Sipas denoncuesit, gjithçka nisi pas një problemi me dokumentet greke të familjes së tij. Ai pretendon se, pasi kishte komunikuar me përgjegjësit e doganës shqiptare dhe ishte lejuar të kalonte drejt Greqisë, edhe pala greke e kishte lejuar të vijonte udhëtimin.

Në kthim, qytetari thotë se është përballur me një tjetër situatë në doganën shqiptare, ku një punonjës i policisë në sportel i ka deklaruar se dokumentet që dispononte nuk ishin të vlefshme.

Denoncuesi pretendon se i ka dorëzuar policit dokumentet e automjetit për kontroll dhe, pasi ato janë verifikuar, punonjësi ia ka kthyer sërish. Megjithatë, sipas tij, nuk i është lejuar të vijonte kalimin.

Situata është përshkallëzuar pas debatit verbal, kur qytetari pretendon se polici i ka kërkuar t’i dorëzonte çelësat e automjetit. Në video, të dërguar nga denoncuesi në redaksinë tonë, duket momenti kur punonjësi i policisë merr çelësat ndërsa qytetari ndodhet brenda automjetit.

Qytetari thotë se në makinë ndodhej edhe vajza e tij e mitur dhe se, për shkak të temperaturave të larta, nuk mund ta mbante automjetin pa kondicioner.

“Unë kisha vajzën e mitur në makinë, 40 gradë. S’mund të rrinte në mes të vapës pa kondicioner. ‘Nuk t’i jap çelësat’, i thashë dhe ai agravohet”, pretendon denoncuesi.

Ai e konsideron sjelljen e punonjësit si të papërshtatshme dhe pretendon se ky i fundit ka hyrë në automjet për t’i marrë çelësat.

Pas incidentit, denoncuesi thotë se është orientuar të paraqitet në komisariat ditën e martë, ndërsa pretendon se ka bërë edhe denoncimin përkatës.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u sqaruar zyrtarisht se çfarë parashikojnë procedurat në raste të tilla, përse dokumentet e udhëtimit u konsideruan të pavlefshme pasi familja ishte lejuar të kalonte nga të dyja palët kufitare dhe mbi çfarë baze iu kërkua qytetarit dorëzimi i çelësave të automjetit.

JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi nga strukturat përgjegjëse për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe masat e marra lidhur me të.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit