Shuhen “flakët e ferrit” në Krujë, dështimi i shtetit dhe rreziku që iu kanos banorëve

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 09.08.2026, 08:05

Kruja kaloi orë të tmerrshme nën pushtetin e flakëve, teksa zjarri u përhap me shpejtësi drejt zonave të banuara, hyri në oborret e shtëpive dhe iu afrua magazinave, një pike të shpërndarjes së gazit dhe vetë Spitalit të Krujës. Qindra banorë u evakuuan, ndërsa disa u nxorën me forcë nga banesat pasi refuzuan të largoheshin. Zjarri u afrua deri në rreth 50 metra nga spitali, duke detyruar evakuimin e pacientëve drejt Tiranës. Përballë kësaj situate, frika pushtoi qytetin, ndërsa flakët kërcënuan banesat dhe jetën e banorëve.

Por në mes të kësaj panorame, heronjtë e vërtetë të kësaj beteje ishin zjarrfikësit, të cilët luftuan për rreth 16 orë pa pushim për të mbajtur flakët larg banesave dhe për të shpëtuar pasuritë e qytetarëve. Në terren të vështirë, mes temperaturave të larta, tymit dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën e tyre, ata vijuan punën bashkë me Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të angazhuara. Burra që përballen çdo ditë me rrezikun, shpesh me paga që nuk pasqyrojnë peshën e përgjegjësisë që mbajnë mbi supe, u gjendën sërish të parët përballë flakëve.

Zjarri tashmë është vënë nën kontroll, por ngjarja ngre pikëpyetje të forta për kapacitetet dhe gatishmërinë e shtetit për t’u përballur me emergjenca të tilla. Për ngjarjen është arrestuar Qemal Berhami, i dyshuar se kishte ndezur barishte pranë banesës së tij dhe më pas flakët dolën jashtë kontrollit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Në fund të kësaj beteje, ndërsa përgjegjësitë institucionale duhen hetuar, një gjë mbetet e padiskutueshme: kur qyteti u vu në rrezik, ishin zjarrfikësit ata që për 16 orë u përballën me “flakët e ferrit” për të mbrojtur jetën dhe shtëpitë e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit