Situata e zjarrit në Krujë është përkeqësuar, ndërsa flakët kanë detyruar autoritetet të nisin evakuimin e banorëve të zonës Barabit–Lluban.
Bashkia Krujë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të kësaj zone, ndërsa në terren janë angazhuar strukturat e emergjencave, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura për realizimin e evakuimit dhe garantimin e sigurisë.
Sipas njoftimit të Bashkisë, prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Autoritetet bëjnë me dije se qytetarëve të evakuuar do t’u sigurohet strehim i përkohshëm, nevojat bazë dhe asistencë shëndetësore.
Banorëve të zonës Barabit–Lluban u është bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave gjatë largimit nga zona.
Ndërkohë, zjarri vijon të jetë aktiv dhe situata në terren mbetet kritike, ndërsa më herët banorët kanë bërë apel të vazhdueshëm për përforcime për shkak të përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.