Situata me zjarrin e fuqishëm në Krujë vijon të mbetet kritike, pavarësisht ndërhyrjes së dy helikopterëve dhe pranisë së forcave të shumta zjarrfikëse në terren.
Një qytetar nga zona i është drejtuar redaksisë sonë për të përcjellë situatën e krijuar, duke thënë se flakët vijojnë ende dhe se forcat zjarrfikëse po punojnë prej orësh për t'i mbajtur nën kontroll.
“Vazhdon zjarri. U mbytëm në tym. Shumë kritike situata. Janë futur të gjithë në punë, zjarrfikësit bashkë me drejtorin e Përgjithshëm aty mes flakëve po punojnë pa pushim. Situata duket shumë e keqe”, shkruan qytetari në mesazhin e dërguar në redaksi.
Sipas dëshmisë së tij, në terren ndodhen forca të shumta, të cilat po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve, ndërsa situata vijon të jetë e vështirë për shkak të tymit dhe intensitetit të zjarrit.
Zjarri ka përfshirë zonën malore të Krujës dhe më herët flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta. Terreni i thepisur ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, ndërsa flakët kanë rrezikuar ullishtet dhe banesat pranë zonës së përfshirë.
Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri dhe forcave të shumta në terren, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll të plotë.
Redaksia jonë vijon të ndjekë situatën në Krujë dhe do të sjellë çdo informacion të ri nga terreni.