“Policia e Kosovës më ndaloi në mes të rrugës dhe më la 20 minuta në pritje”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.08.2026, 18:55

Një qytetar shqiptar, i cili po udhëtonte në Kosovë, i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një rast që, sipas tij, ka ndodhur me Policinë Rrugore në Gjakovë.

Qytetari tregon se është ndaluar nga efektivët pasi po udhëtonte me rreth 60 km/h në një segment ku kufizimi i shpejtësisë ishte 40 km/h. Ai pranon shkeljen dhe thotë se nuk ka kundërshtim për gjobën prej 30 eurosh, por shpreh shqetësim për mënyrën dhe vendin ku është kryer ndalimi.

Sipas tij, automjeti është lënë në mes të një rruge me dy korsi, pa u zhvendosur në anë, dhe ka qëndruar në atë pozicion për rreth 20 minuta. Në automjet ndodheshin bashkëshortja e tij shtatzënë dhe djali. Qytetari pretendon se gjatë kësaj kohe automjetet e tjera vijonin të qarkullonin në atë segment dhe se, në një moment, pranë tyre ka kaluar edhe një autobus me rreth 50 km/h.

Në videon e dërguar në redaksi dëgjohet qytetari duke kundërshtuar vendin ku është ndaluar: “Më ke ndaluar në mes të rrugës”, ndërsa efektivët i përgjigjen se, nëse ka kundërshtime, mund të paraqesë ankesë. Ai pretendon gjithashtu se gjatë debatit verbal është paralajmëruar për arrestim.

Qytetari ngre edhe dyshime lidhur me sjelljen e njërit prej efektivëve, i cili, sipas tij, është larguar drejt automjetit të policisë dhe ka qëndruar aty për disa minuta. Ai thotë se kjo i ka krijuar dyshimin se mund t’i kërkohej një shumë parash në këmbim të shmangies së gjobës. Ky është vetëm pretendim i qytetarit dhe nuk përbën fakt të provuar për ryshfet apo korrupsion.

Ai thotë se më pas ka diskutuar me disa shtetas kosovarë në zonë, të cilët, sipas tij, i kanë deklaruar se raste të ngjashme u kanë ndodhur edhe qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë në aksin Gjakovë–Tropojë.

“Gjoba nuk është problem fare”, shprehet qytetari, duke theksuar se shqetësimi i tij lidhet me faktin se, sipas tij, është mbajtur për minuta të tëra në një pozicion që mund të përbënte rrezik për një aksident.

Redaksia jonë publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga qytetari. I bëjmë thirrje Policisë Rrugore të Kosovës që, nëse ka një sqarim lidhur me rastin, të reagojë dhe të sqarojë rrethanat e ndalimit, si dhe arsyen përse automjeti është mbajtur në atë pozicion.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit