Një qytetare nga lagjja Ali Demi në Tiranë i është drejtuar mediave për të denoncuar një situatë që, sipas saj, paraqet rrezik për banorët. Ajo pretendon se punonjësit e UKT-së kanë ndërhyrë gjatë paradites për të vendosur një matës uji, por pas punimeve uji ka nisur të rrjedhë pranë telave të energjisë elektrike.
Sipas qytetares, familjarët kanë telefonuar disa herë shërbimet përkatëse për të kërkuar ndërhyrje, por pavarësisht se telefonatat janë marrë, deri në momentin e denoncimit askush nuk ka shkuar për të riparuar defektin. Ajo shprehet e shqetësuar për rrezikun që mund të krijojë kombinimi i rrjedhjes së ujit me instalimet elektrike.
“Kanë ardhur sot paradite punonjësit e UKT dhe kanë vendosur një sahat uji, ndërkohë uji rrjedh komplet te telat e korrentit. I kemi marrë mbi 3-4 herë në telefon, janë përgjigjur, por askush nuk ka ardhur ta rregullojë këtë gjë”, shkruan qytetarja, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve. Rasti mbetet për t’u verifikuar dhe pritet që shërbimet përgjegjëse të marrin masa për eliminimin e situatës së rrezikshme.