Rruga e re i lë pa akses, banorët e Mirakës paralajmërojnë protestë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.08.2026, 14:43

Banorët e fshatit Mirakë dhe disa zonave përreth në Njësitë Administrative Polis dhe Valë, në bashkinë e Librazhdit, kanë paralajmëruar një protestë ditën e hënë kundër projektit të zgjerimit të segmentit Elbasan–Qafë Thanë, Faza II, pjesë e Koridorit VIII. Ata theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës së re, por kundërshtojnë projektin aktual, i cili sipas tyre nuk parashikon një hyrje-dalje që lidh fshatrat Mirakë, Gostimë, Qendër, Gurshpatë, Vilan, Sheh dhe Valë me aksin kryesor.

Sipas banorëve, mungesa e këtij aksesi do të izolojë mijëra banorë, duke vështirësuar lëvizjen e përditshme, transportin e produkteve bujqësore, shërbimet e transportit publik dhe ndërhyrjet në raste emergjente. Ata argumentojnë se zgjidhja e parashikuar përmes Nyjës së Xibrakës zgjat itinerarin me rreth 6 kilometra dhe mund të shtojë deri në 20 minuta kohën e mbërritjes së ambulancave në raste urgjente.

Në një kërkesë drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar më 9 korrik 2026, banorët kanë propozuar ndërtimin e një hyrje-daljeje në kilometrat 5+400 dhe 5+800, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese pranë urës së Mirakës. Me protestën e paralajmëruar, ata synojnë të tërheqin vëmendjen e autoriteteve për rishikimin e projektit, në mënyrë që rruga e re të mos kthehet në një pengesë për komunitetin që prek.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit