Lana, plaga në mes të Tiranës: Turisti i zhgënjyer nga “lumi-kanal mbeturinash” në mes të kryeqytetit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.08.2026, 14:11

Një turist, i cili thotë se e viziton Tiranën prej shumë vitesh, ka shprehur zhgënjimin për gjendjen e Lumit Lana, duke e cilësuar situatën të papranueshme për kryeqytetin shqiptar.

Ai thotë se lumi vazhdon të jetë i mbushur me mbeturina dhe të lëshojë erë të rëndë, ndërsa mungojnë masat për pastrimin ose projektet që do të pengonin përfundimisht hedhjen e mbetjeve në lumë.

Çdo herë që vij në Tiranë, shoh të njëjtën pamje. Ose nuk pastrohet, ose nuk ndërmerret një projekt që të ndalojë mbeturinat të përfundojnë në kanal. Për turistët që vijnë nga jashtë shtetit, kjo është shumë e turpshme. Nuk është normale që Lumi Lana, në mes të kryeqytetit, të jetë me erë të rëndë, mbeturina dhe papastërti. Gjithmonë e shoh kështu këtë kanalin. S’keni turp”, shprehet ai.

Prej vitesh, ndotja e Lumit Lana ka qenë objekt shqetësimi për qytetarët dhe organizatat mjedisore, të cilat kanë kërkuar ndërhyrje më efektive për pastrimin dhe rehabilitimin e tij.

Por pavarësisht investimeve të bëra në zona të ndryshme të kryeqytetit, pamja e lumit nuk përputhet me imazhin që Tirana synon të prezantojë si një destinacion modern dhe mikpritës për vizitorët. Sipas turistit, nevojiten ndërhyrje të vazhdueshme për pastrimin e shtratit të lumit, kontrolle më të forta ndaj ndotësve dhe zgjidhje afatgjata që të pengojnë hedhjen e mbeturinave në Lana.

Institucionet përgjegjëse duhet ta trajtojnë këtë çështje me prioritet, pasi lumi përshkon qendrën e kryeqytetit dhe është një nga elementët që bie menjëherë në sy për mijëra turistë që vizitojnë Tiranën çdo vit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit