“Na tmerruan fëmijët, qentë dhe macet! Çdo mesnatë e njëjta situatë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.08.2026, 00:43

Fenomeni i fishekzjarreve që shpërthejnë në mes të natës vazhdon të kthehet në një makth për qytetarët, ndërsa autoritetet vijojnë të mos marrin masa. Pavarësisht se tregtimi dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj, denoncimet në redaksinë e JOQ Albania janë bërë të përnatshme.

Këtë herë, dy qytetare nga Durrësi kanë ngritur të njëjtin shqetësim, duke denoncuar se fishekzjarret hidhen çdo natë rreth mesnatës, duke u prishur qetësinë banorëve dhe duke trembur fëmijët e vegjël, kafshët shtëpiake dhe të moshuarit.

Njëra prej qytetareve shkruan:

"Çdo natë është i njëjti muhabet. I tmerruan fëmijët e vegjël, qentë edhe macet. Po na bëjnë me zemër me këto fishekzjarre. Situata është bërë anormale. Në Durrës vazhduan me minuta të tëra, sa në një moment menduam se kishte ndonjë shpërthim."

Ndërsa një tjetër qytetare, nga Lagjja 17, tregon se fishekzjarret zgjatën për rreth gjysmë ore.

"Shih çfarë bëhet në orën 12 të natës, në Lagjen 17. Ma tromaksën kalamajtë. Gjysmë ore zgjatën. A ka njeri t'i ndalojë këto kafshë? Çdo natë e njëjta gjë."

Nuk është hera e parë që JOQ Albania publikon denoncime për këtë fenomen. Prej muajsh, qytetarë nga Durrësi, Tirana dhe qytete të tjera raportojnë të njëjtin problem, ndërsa shpërthimet e fishekzjarreve në orët e vona janë kthyer në një rutinë të papranueshme.

Pyetja që shtrojnë qytetarët është e thjeshtë: nëse fishekzjarret janë të ndaluara të tregtohen dhe të përdoren pa kriter, atëherë ku furnizohen personat që i hedhin pothuajse çdo natë? Kush i shet dhe pse nuk ushtrohen kontrolle për të ndalur këtë fenomen?

Ndërsa banorët humbin qetësinë, fëmijët zgjohen të frikësuar dhe kafshët traumatizohen nga zhurmat e forta, institucionet vijojnë të mos japin asnjë zgjidhje për një problem që është kthyer në përditshmëri. Qytetarët kërkojnë kontrolle serioze dhe masa konkrete, që netët të mos vazhdojnë të shndërrohen në një "terror akustik".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit