Eksodi nuk ndalet: Qeveria hap “kanale zyrtare” me Azinë për të zëvendësuar punëtorët shqiptarë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.08.2026, 19:12

Ndërsa kriza demografike dhe emigracioni po zbrazin përditë vendin nga krahët e punës, ekzekutivi ka nisur një ofensivë diplomatike për të mbuluar boshllëqet në tregun vendas. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka përmbyllur së fundmi një sërë marrëveshjes me vende aziatike, duke i kthyer përpjekjet për importimin e krahut të punës në një axhendë të mirëfilltë ndërshtetërore.

Përgjatë javëve të fundit, drejtuesja e dikasterit, Delina Ibrahimaj, ka nënshkruar dy memorandume kyçe mirëkuptimi me autoritetet e Vietnamit dhe Indonezisë. Të dyja këto akorde synojnë institucionalizimin e linjave të rekrutimit të kualifikuar, duke u mundësuar bizneseve vendase qasje të drejtpërdrejtë te fuqia punëtore nga Azia Lindore dhe Juglindore.

Nga hoteleria te transporti: Si po ndryshon harta e punësimit

Në kuadër të marrëveshjes me Vietnamin, parashikohet ngritja e procedurave të përbashkëta të trajnimit dhe organizimi i forumeve ekonomike për lidhjen e bizneseve shqiptare me agjencitë partnere. Projektet e aluduara flasin për ardhjen e mundshme të dhjetëra mijëra punonjësve në sektorë kritikë si hoteleria, bujqësia dhe industria përpunuese.

Ndërkaq, paktet e nënshkruara në Xhakartë me autoritetet indoneziane e përfshijnë vendin tonë në programin shtetëror "SMK Go Global", i cili synon dërgimin e krahut të kualifikuar të punës jashtë vendit, i certifikuar dhe i trajnuar me standarde ndërkombëtare.

Sipas të dhënave më të fundit administrative mbi lejet e qëndrimit:

  • Më shumë se 59% e lejeve aktive u përkasin shtetasve të huaj që qëndrojnë për motive punësimi ose vetëpunësimi.
  • Shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti përbëjnë tashmë bërthamën kryesore të krahut të huaj të punës, veçanërisht në shërbime, gastronomi, transport dhe agroturizëm.
  • Rajoni (Kosova) dhe Italia kryesojnë sa i përket numrit të përgjithshëm të lejeve, por me profile që lidhen më shumë me bashkimin familjar, sipërmarrjen apo investimet.

Krizë strukturore apo orientim strategjik?

Tranzicioni i tregut të punës po zhvillohet në sfondin e të dhënave shqetësuese të censit të fundit, i cili konfirmoi një rënie me rreth 15% të popullsisë banuese në krahasim me dekadën e kaluar, i shoqëruar nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindshmërisë.

Ajo që disa vite më parë shihej si zgjidhje alternative apo episodike nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili u bënte thirrje sipërmarrësve privatë të orientoheshin nga tregjet aziatike, sot po merr trajtën e një politike zyrtare publike. Nisma që dikur niste nga iniciativa private e bizneseve sot mbështetet nga mekanizma zyrtarë shtetërorë.

Kritikët dhe ekspertët e sektorit ngrenë pyetjen se sa i qëndrueshëm është ky model. Në vend të politikave agresive për rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, inspektimeve të rreptë apo lehtësirave fiskale për punëmarrësit vendas me qëllim frenimin e eksodit, autoritetet duket se po zgjedhin rrugën e zëvendësimit struktural të krahut të punës që largohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit