“U nisa për pushime, ma futi shoku”, dëshmia e të riut që u kap me 4 pistoleta ‘Glock’ duke udhëtuar drejt Sarandës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.08.2026, 19:18

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin e 31-vjeçarit Kejdi Banaj, i cili u vu në pranga rreth dy javë më parë në tunelin e Skërficës, në aksin Kardhiq–Delvinë, pasi në automjetin që drejtonte u zbuluan katër pistoleta tip "Glock".

Sipas hetimeve, autoritetet kishin siguruar informacion paraprak se Banaj po transportonte armë zjarri me një makinë të marrë me qira, me destinacion qytetin e Sarandës. Dyshimet e hetuesve ishin se gjatë rrugës ai do të merrte edhe rreth 500 gramë kokainë në zonën e Lushnjës, e cila më pas do të shpërndahej në doza në qytetin bregdetar.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në tunelin e Skërficës, armët u gjetën të fshehura poshtë tapicerisë së sediljes së përparme të pasagjerit, të vendosura brenda një qeseje të zezë.

Në deklarimet e dhëna para hetuesve, Banaj ka mohuar të ketë pasur dijeni për përmbajtjen e qeses. Ai ka pretenduar se udhëtimi drejt Sarandës kishte si qëllim gjetjen e një apartamenti për pushime dhe se ishte ftuar nga një i njohur i tij prej shumë vitesh, i identifikuar me inicialet E. S.

Sipas dëshmisë së tij, në Tiranë, E. S. së bashku me kunatin e tij kanë marrë një qese pranë autostradës së Kasharit dhe e kanë vendosur në automjetin që drejtonte Banaj, ndërsa më pas janë larguar me një mjet tjetër.

"Më telefonoi E. S., të cilin e njoh prej rreth 20 vitesh. Më propozoi të shkonim në Sarandë për të parë një shtëpi për pushime. Në Tiranë mori një porosi dhe e futi në makinën time, pastaj u largua me një automjet tjetër. Vetëm kur më ndaloi policia mësova se çfarë kishte brenda qeses", ka deklaruar ai para gjykatës.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, 31-vjeçari ka pranuar se është përdorues i lëndëve narkotike prej disa vitesh, por ka këmbëngulur se nuk kishte dijeni se në qesen e vendosur në automjet ndodheshin armë zjarri.

Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në pah se personi i përmendur prej tij, E. S., 26 vjeç nga Tirana, dyshohet të ketë qenë i përfshirë në transportimin e armëve dhe është shpallur në kërkim edhe për një rast tjetër të ngjashëm të regjistruar në muajin mars të këtij viti.

Gjykata ka vendosur ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë "Arrest në burg", ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e të gjithë personave të dyshuar në këtë ngjarje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit