Katër vite më parë, mesdita e 27 korrikut do të shënonte një nga ngjarjet më të rënda dhe më të bujshme të krimit të organizuar në Shqipëri. Tek mbikalimi i Fushë-Krujës, automjetit me të cilin udhëtonte Brilant Martinaj bashkë me dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, i u zu pritë në një atentat mirëorganizuar. Drejt tyre u derdhën breshëri të menjëhershme automatiku, duke u marrë jetën të treve në vend, ndërsa makina u përfshi nga flakët dhe rruga nacionale që lidh kryeqytetin me verion e vendit mbeti e bllokuar për orë të tëra.
Kjo masakër ishte vetëm vazhdimësia e një vargu të gjatë përplasjesh me grupe rivale për kontrollin e lojërave të fatit, ku shënjestër ishin njerëzit e afërt të Ervis Martinajt, i njohur gjerësisht si “mbreti i kumarit”. Megjithatë, ekzekutimi i kushëririt të tij, Brilantit, përbënte goditjen më të rëndë për strukturën e tij. Në atë periudhë, vetë Ervis Martinaj ndodhej në kërkim nga SPAK-u dhe lëvizte ilegalisht midis Tiranës dhe Durrësit.
Pa u shuar ende jehona e masakrës, familja Martinaj iu drejtua policisë me një kallëzim penal për rrëmbimin dhe zhdukjen e vetë Ervis Martinajt, duke këmbëngulur se ai ishte marrë peng dhe vrarë. Hetimet e mëvonshme zbuluan se në ditët e tij të fundit ai shoqërohej nga Jeton Lami, një oficer i Forcës së Posaçme Operacionale. Pamjet filmike të sekuestruara e shfaqnin Lamin krah Martinajt deri në hapat e fundit të njohur në një hotel në Durrës, përpara se çdo gjurmë e tij të humbiste përgjithmonë.
Zhdukja e tij trazoi fort opinionin publik dhe nxiti reagime politike, ku Kryeministri Edi Rama i vendosi Policisë së Shtetit një ultimatum prej 100 ditësh për zbardhjen e ngjarjes. Përveç shoqërimit të dhjetëra personave nga bota e krimit, hetimet çuan në arrestimin e Jeton Lamit. Ky i fundit doli se ishte personi i fundit që kishte takuar si Brilant Martinajn para atentatit, ashtu edhe Ervis Martinajn para zhdukjes. Pavarësisht arrestimit, dënimit dhe lirimit të tij të mëvonshëm, oficeri zgjodhi të ruante heshtjen e plotë.
Sot e kësaj dite, prokuroria nuk ka arritur të identifikojë autorët e atentatit ndaj Brilant Martinajt dhe as të dokumentojë fatin e Ervis Martinajt. Teksa katër vite kanë kaluar, familja vazhdon të kërkojë drejtësi dhe të akuzojë politikën, ndërsa pyetja se çfarë ndodhi me të vërtetë me "mbretin e kumarit" mbetet ende pa përgjigje.