Autoritetet spanjolle kanë goditur një rrjet të gjerë ndërkombëtar të trafikut të kokainës, duke sekuestruar rreth 21 tonë drogë dhe duke arrestuar 43 persona në Spanjë dhe Ekuador. Operacioni ka nxjerrë në pah një organizatë kriminale që dyshohet se përdorte portet kryesore të të dy vendeve për futjen e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në Spanjë, autoritetet sekuestruan rreth një milion euro para të gatshme, si dhe ngrinë prona, automjete dhe pasuri të tjera financiare që dyshohet se ishin të lidhura me aktivitetin kriminal.
Sipas hetuesve spanjollë, organizata kishte bazën kryesore në La Rioja dhe kishte krijuar një strukturë të sofistikuar për importimin e kokainës përmes porteve të Malagës, Algecirasit dhe Valencias. Rrjeti ishte i ndarë në tre degë që bashkëpunonin mes tyre për të realizuar transportin, financimin dhe fshehjen e aktivitetit të paligjshëm.
Dega spanjolle, e përbërë nga shtetas spanjollë dhe marokenë, ishte përgjegjëse për krijimin e kompanive dhe strukturave tregtare që do të shërbenin si mbulesë për futjen e kontejnerëve nga Amerika e Jugut. Këto biznese i jepnin aktivitetit një pamje të ligjshme dhe siguronin destinacione për ngarkesat e maskuara.
Dega e dytë operonte nga Ekuadori, vend nga i cili vinte pjesa më e madhe e kokainës së sekuestruar. Përmes qendrave logjistike, veçanërisht portit të Guayaquilit, anëtarët e kësaj dege kontrollonin përgatitjen dhe nisjen e kontejnerëve drejt Spanjës.
Ndërsa dega e tretë, me bazë në Dubai, dyshohet se përbëhej nga investitorë me origjinë shqiptare, të cilët siguronin financimin e kompanive në Spanjë. Sipas autoriteteve, këto investime shërbenin për të kamufluar pagesat dhe për të mbuluar dërgesat periodike të sasive të mëdha të drogës.
Hetimi, i cili ka zgjatur më shumë se dy vjet, nisi me operacionet në Ekuador në mars të vitit 2025. Atje u zhvilluan rreth 50 kontrolle banesash në zona të ndryshme të vendit dhe u arrestuan 36 persona, duke goditur strukturën lokale të organizatës.
Pas fazës në Ekuador, hetimet vijuan në Spanjë, ku u kryen bastisje në provincat La Rioja, Alicante, Sevilje dhe Kadiz. Operacioni përfundoi me arrestimin e tetë personave të tjerë dhe sekuestrimin e rreth një milion eurove në para të gatshme gjatë kontrolleve në qytetin Arnedo, në La Rioja.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin financiar dhe lidhjet ndërkombëtare të kësaj organizate kriminale.