Gati 39 mijë të huaj jetojnë në Shqipëri: Filipinasit, indianët dhe egjiptianët dominojnë punësimet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.08.2026, 09:57

Shqipëria vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë shtetas të huaj, kryesisht për arsye punësimi. Të dhënat më të fundit të Policisë së Shtetit, tregojnë se deri më 30 qershor 2026 në vend ishin aktive 38,712 leje qëndrimi për shtetas të huaj.

Shqiptarët nga Kosova përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri. Ata numërojnë 7,302 leje aktive, ose rreth 19% të totalit. Në vend të dytë renditen shtetasit italianë me 4,332 leje (11%), të ndjekur nga indianët me 3,882 leje (10%), filipinasit me 3,638 leje (9.3%) dhe egjiptianët me 3,441 leje, që përfaqësojnë afro 8% të totalit.

Punësimi mbetet motivi kryesor që i sjell të huajt në Shqipëri. Deri në fund të qershorit ishin miratuar 22,693 leje unike për punëmarrje dhe vetëpunësim, të cilat përbëjnë 59% të të gjitha lejeve aktive të qëndrimit. Kjo do të thotë se pothuajse gjashtë në çdo dhjetë shtetas të huaj që jetojnë ligjërisht në vend ndodhen këtu për arsye pune.

Pesha më e madhe e këtyre lejeve i përket shtetasve nga Filipinet, India dhe Egjipti. Së bashku, këto tre shtetësi kanë përfituar 10,258 leje unike punësimi, ose rreth gjysmën e të gjithë të huajve të punësuar në Shqipëri.

Sipas Monitor pas punësimit, arsyeja më e zakonshme për marrjen e lejes së qëndrimit është bashkimi familjar. Në fund të qershorit ishin aktive 7,124 leje të kësaj kategorie, që përbëjnë 18% të totalit.

Edhe në këtë kategori dominojnë shtetasit e Kosovës, me 2,978 leje ose 42% të të gjitha lejeve për bashkim familjar. Ata ndiqen nga shtetasit italianë me 783 leje (11%) dhe shtetasit turq me 518 leje, ose rreth 7% të totalit.

Ndërkohë, për motive studimi ishin aktive 1,261 leje qëndrimi, të barabarta me rreth 3% të totalit. Numrin më të lartë e kanë shtetasit italianë me 462 leje, ose 37% të kësaj kategorie, ndërsa indianët renditen të dytët me 426 leje, që përfaqësojnë 34% të totalit.

Sa u përket lejeve të qëndrimit për motive humanitare, pjesa dërrmuese u përket shtetasve iranianë. Sipas të dhënave, 2,440 shtetas të Iranit janë pajisur me leje të kësaj natyre, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera përfaqësohen me shifra dukshëm më të ulëta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit