Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të zonës së Astirit, të cilët ankohen se prej më shumë se dy muajsh nuk po gjejnë qetësi për shkak të një lokali që, sipas tyre, vijon punimet dhe aktivitetin pa respektuar oraret.
Qytetarja thotë se lokali ka kryer restaurime për javë të tëra, ndërsa puna ka vazhduar edhe gjatë orëve të vona të natës dhe në fundjavë. Sipas saj, pavarësisht telefonatave të përsëritura në numrin 129 dhe kontakteve me Policinë Bashkiake, situata nuk ka ndryshuar.
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, e regjistruar gjatë natës, shihen persona që vijojnë punimet në ambientet e jashtme të lokalit, ndërsa banorja pretendon se njoftimi në polici është bërë rreth orës 23:22, por deri në momentin e dërgimit të videos nuk kishte mbërritur asnjë patrullë.
Qytetarja shton se shqetësimet nuk lidhen vetëm me punimet.
Sipas saj, gjatë Kampionatit Botëror, lokali mbante televizorin me volum shumë të lartë para dhe pas ndeshjeve, ndërsa zhurmat kanë qenë të vazhdueshme edhe në ditët e zakonshme.
Banorja ngre gjithashtu pretendimin se subjekti ka zënë një pjesë të hapësirës publike dhe të parkimeve të pallatit, duke vendosur çadra, tavolina dhe një kënd bilardoje në shërbim të aktivitetit.
"Po ju shkruaj për një lokal në Astir, nga i cili nuk po gjejmë qetësi prej më shumë se dy muajsh. Punon pa orar, nga e hëna në të diel. Kemi bërë ankesa në 129 dhe te Policia Bashkiake, por nuk ka ardhur askush. Sonte puna ka nisur sërish në mes të natës, sikur të ishte ora 10 e mëngjesit. Në pallat ka familje me fëmijë, por askujt nuk duket se i intereson," shkruan denoncuesja.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të verifikojnë denoncimin dhe të marrin masat përkatëse nëse konstatohen shkelje të orareve të lejuara për punime, zhurmë apo zënie të paligjshme të hapësirave publike.