Pas fjalimeve të mbajtura përpara Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin e përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës, duke vijuar për natën e 67-të radhazi protestën kundër klasës politike.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, protestuesit po marshojnë në bulevardet e kryeqytetit, ndërsa në kor dëgjohen thirrjet "Ju erdhi fundi!" dhe "Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!", që kanë shoqëruar nisjen e marshimit të kësaj mbrëmjeje.
Prej 67 ditësh pa asnjë ndërprerje, qytetarët mblidhen çdo mbrëmje në qendër të Tiranës, duke e kthyer këtë në një nga protestat qytetare më të gjata të zhvilluara në vend. Organizatorët e konsiderojnë këtë vazhdimësi si dëshmi të vendosmërisë së protestuesve për të vijuar mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e klasës politike që, sipas tyre, ka drejtuar vendin për 36 vitet e fundit, si dhe reforma të thella politike. Marshimi pritet të vijojë gjatë gjithë mbrëmjes në rrugët kryesore të kryeqytetit, i shoqëruar nga thirrje, pankarta dhe flamuj kombëtarë.