Tragjedi në fushën e futbollit, rrufeja vret lojtarin 24-vjeçar në mes të ndeshjes

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.08.2026, 20:03

Një ndeshje futbolli në jug të Tajlandës u kthye në tragjedi, pasi një rrufe goditi fushën gjatë zhvillimit të takimit, duke i marrë jetën një futbollisti 24-vjeçar dhe duke plagosur të paktën 12 persona të tjerë.

Ngjarja ndodhi pasditen e së martës në stadiumin Santiphap, në qytetin Sungai Golok, pranë kufirit me Malajzinë, ku po luhej gjysmëfinalja e turneut rajonal Golok FA Cup mes skuadrave SAMCOLTS dhe Abu x Nong Sirin.

Viktima është identifikuar si Sofwan Awae, 24 vjeç, anësor i ekipit Yala FC, i cili në këtë turne aktivizohej me skuadrën SAMCOLTS. Sipas autoriteteve, ai u godit nga rrufeja teksa ndodhej në fushë gjatë një stuhie të fortë me shi.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin tronditës kur një rrufe godet pranë futbollistëve, ndërsa dëgjohet një shpërthim i fuqishëm. Menjëherë pas goditjes, disa lojtarë bien në tokë, ndërsa bashkëlojtarët dhe stafet mjekësore vrapojnë për t'u dhënë ndihmën e parë.

24-vjeçari mori menjëherë ndihmë mjekësore në fushë dhe u transportua me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën t'i shpëtonin jetën.

Si pasojë e goditjes së rrufesë, u plagosën edhe 12 persona, mes tyre një futbollist nga Malajzia. Të gjithë u dërguan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tyre nuk raportohet të jetë kërcënuese për jetën.

Ngjarja ka tronditur komunitetin sportiv në Tajlandë dhe Malajzi, ndërsa autoritetet kanë rikujtuar rrezikun e zhvillimit të aktiviteteve sportive në kushte të motit ekstrem, sidomos gjatë sezonit të musoneve, kur goditjet nga rrufetë janë të shpeshta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit