Influencuesi meksikan César Gastélum është qëlluar për vdekje teksa ishte LIVE në TikTok.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, pranë një restoranti të ushqimit të shpejtë në zonën Tres Ríos, në qytetin verior të Culiacán. Gastélum po realizonte një transmetim live së bashku me dy miqtë e tij, kur dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motoçikletë, iu afruan dhe njëri prej tyre e qëlloi nga një distancë shumë e afërt.
Influencuesi numëronte mbi 500 mijë ndjekës në TikTok, ku ishte i njohur kryesisht për videot me përmbajtje humoristike.
Sipas mediave lokale, Gastélum dhe miqtë e tij mbanin veshur xhaketa dhe çanta portokalli, të ngjashme me ato që përdorin shpërndarësit e ushqimit. Fillimisht, policia dyshoi se viktima ishte një korrier, por më pas autoritetet konfirmuan identitetin e tij.
Forcat e rendit dhe ekspertët e kriminalistikës rrethuan vendngjarjen dhe po analizojnë gëzhojat e plumbave, si edhe pamjet e kamerave të sigurisë, për të identifikuar autorët. Deri më tani nuk është arrestuar askush, ndërsa dy sulmuesit janë larguar me motoçikletë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse Gastélum kishte marrë më herët kërcënime.
Në profilin e tij në Instagram, ai publikonte shpesh fotografi nga udhëtimet, mbrëmjet me miqtë dhe para makinave luksoze. Në një prej postimeve ai shihej pranë varrit të influencuesit Leobardo Aispuro, i njohur si "El Gordo Peruci", i cili u vra në dhjetor 2024. Sipas policisë, vrasja e tij mund të ketë qenë e lidhur me përplasjet mes dy fraksioneve rivale të kartelit Sinaloa.
Dhuna në shtetin e Sinaloas, ku ndodhet edhe qyteti Culiacán, është përshkallëzuar ndjeshëm që nga shtatori i vitit 2024, pas përçarjes mes dy grupeve rivale të kartelit, Los Chapitos dhe La Mayiza.