Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu rreth mesditës së kësaj të mërkure fshatin Penkovë, në Bashkinë e Selenicës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. I favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, zjarri u përhap me shpejtësi, ndërsa ndërhyrja në minutat e para rezultoi tepër e vështirë.
Bashkia e Selenicës disponon vetëm një automjet zjarrfikës, çka e bëri të pamundur përballimin e situatës me forcat vendore. Për këtë arsye, në operacion u angazhuan edhe zjarrfikësit nga Vlora dhe Himara, të cilët, pas disa orësh pune intensive, arritën të izolonin vatrën dhe të shmangnin përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Bilanci i zjarrit përfshin djegien e disa automjeteve të një subjekti privat që shërbenin për pjesë këmbimi. Pronari i biznesit, Tomian Hysaj, thotë se humbjet ekonomike kapin vlerën e rreth 35 milionë lekëve të vjetra dhe u bën thirrje institucioneve për mbështetje.
"Me këtë punë merresha, me këtë ushqeja fëmijët. Tani u shkatërrova komplet. Një makinë është më shumë se 300 mijë lekë, janë më shumë se 30 mijë euro dëm. Për gjysmë ore përfundoi gjithçka. Dua një ndihmë të vogël nga bashkia, të më njohin dëmin, se jemi mes katër rrugëve", u shpreh Hysaj.
Fatmirësisht nga flakët nuk ka persona të lënduar. Megjithatë, zjarri ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa shkaqet e rënies së tij mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht dëmet e shkaktuara.