Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një rast të rëndë të përjetuar gjatë pushimeve të tij në resortin "Prestige" në zonën e Mali i Robit, Golem, ku është përballur me mungesë të theksuar higjiene, insekte në dhomë dhe sjellje jo korrekte nga ana e stafit.
Sipas dëshmisë së qytetarit, i cili ndodhej i shoqëruar me fëmijë të vegjël, situata ka qenë e papërballueshme që në momentin e parë të akomodimit.
"Isha te Prestige Resort te Mali i Robit dhe kishte insekte në dhomë, ndërkohë që isha me fëmijë të vegjël. Hoteli ishte shumë pis dhe personeli shumë të paedukuar," – tregon pushuesi në denoncimin e tij.
Ai thotë se pasi janë ankuar pranë recepsionit, stafit i është dashur të ndryshojë dhomë, por situata ka mbetur e njëjtë, me të njëjtat probleme higjienike. Gendja e krijuar ka ndikuar drejtpërdrejt te shëndeti i fëmijës së vogël, i cili ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në hotel.
Përballë kësaj situate, pushuesi ka vendosur të ndërpresë pushimet para kohe dhe të largohet nga hoteli, pasi kishte bërë rezervim paraprak për një javë. Megjithatë, problemi është thelluar më tej pasi menaxhimi i hotelit ka refuzuar t'i kthejë mbrapsh paratë për ditët e mbetura.
“E lashë hotelin dhe nuk kthejnë lekët mrapsht ngaqë kisha bërë booking për 1 javë. Kam paguar 1180 £,” – shprehet ai.
Redaksia jonë mbetet e hapur për të publikuar reagimin ose versionin zyrtar të drejtuesve të “Prestige Resort” në lidhje me pretendimet e ngritura nga pushuesi, për të garantuar një pasqyrim sa më të balancuar dhe të drejtë të situatës.
