36-vjeçari me prejardhje nga Kosova arrestohet në Suedi, dyshohet për sulme ndaj zyrës së Socialdemokratëve dhe një biznesi.
Një 36-vjeçar me prejardhje nga Kosova, i identifikuar nga mediat suedeze si Emir Nuredini, është arrestuar dhe më pas është caktuar në paraburgim nën dyshimin për sulme ndaj dy objekteve në qytetin Sölvesborg të Suedisë.
Sipas policisë suedeze, incidenti i parë ka ndodhur në zyrat lokale të Partisë Socialdemokrate, ku i dyshuari dyshohet se ka thyer dritare dhe ka tentuar t’i vërë zjarrin objektit. Në vendngjarje policia ka gjetur një bidon me lëndë djegëse dhe një çantë me gurë, ndërsa 36-vjeçari është arrestuar në afërsi të ndërtesës.
Po atë natë është raportuar edhe dëmtimi i një biznesi tjetër, dyqanit “Family Market”, që ndodhet në të njëjtën rrugë me selinë e Socialdemokratëve. Për të dy rastet, ai dyshohet për dëmtim prone dhe tentim të zjarrvënies së rëndë.
Mediat suedeze raportojnë se dëshmitarët kanë deklaruar se gjatë incidentit janë dëgjuar slogane naziste. Këto pretendime kanë bërë që drejtues të Partisë Socialdemokrate, përfshirë lideren Magdalena Andersson, ta cilësojnë ngjarjen si një “sulm nazist” dhe një kërcënim ndaj demokracisë suedeze.
Megjithatë, autoritetet suedeze nuk kanë nxjerrë ende përfundime për motivin ideologjik të sulmit. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë ende në fazë të hershme dhe se nuk do të komentojë motivin deri në përfundimin e tyre.
Sipas medias suedeze “Riks”, Nuredini u ndalua të premten e kaluar mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm për tentim të zjarrvënies së rëndë dhe vandalizëm ndaj dyqanit “Family Market” dhe zyrës së Partisë Socialdemokrate.
Autoritetet suedeze thonë se ai kishte thyer disa xhama të zyrës së partisë, kishte shkruar grafite në ndërtesë dhe kishte tentuar t’i vinte flakën objektit. Dëshmitarët pretendojnë se ai mbante me vete një objekt të pikturuar me simbolin e svastikës dhe se gjatë arrestimit kishte brohoritur slogane naziste.
Sipas gazetës suedeze “Blekinge Läns Tidning”, 36-vjeçari ishte i njohur për policinë suedeze edhe më herët. Ai ishte dënuar në muajin maj me burgim për përfshirje në një mashtrim bankar me vlerë rreth 14 milionë korona suedeze (rreth 1.27 milionë euro), por ende nuk kishte nisur vuajtjen e dënimit.
Pas ngjarjes, Magdalena Andersson e cilësoi incidentin si një sulm ndaj demokracisë suedeze. Në një reagim publik, ajo tha se sulme të tilla nuk prekin vetëm një parti politike, por gjithë sistemin demokratik, duke bërë thirrje për unitet kundër kërcënimeve dhe dhunës politike.
Ndërkohë, prokurorja Nina Ljung deklaroi se sulmet ndaj dy objekteve janë trajtuar si dy vepra të ndara penale, megjithëse hetohen në të njëjtin proces. Sipas saj, është ende herët për të përcaktuar nëse objektet janë sulmuar për motive politike apo për arsye të tjera.
Emir Nuredini mori pjesë përmes video-lidhjes në seancën për caktimin e paraburgimit. Ai ka pranuar përgjegjësinë për dëmtimin e pronës në të dy rastet, por ka mohuar akuzat për tentim të zjarrvënies së rëndë.