Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre akuza për një konflikt të zgjatur pronësie në fshatin Grykësh i Madh, njësia administrative Pajovë, Bashkia Peqin. Feta Sinani pretendon se prej vitesh është në konflikt me fqinjët, Erion Sinani dhe Hazbi Sinani, të cilët, sipas tyre, synojnë t'u marrin tokën dhe banesën. Ata shprehen se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, nuk kanë gjetur zgjidhje, pasi pretendojnë se pala tjetër ka mbështetje dhe ndikim në institucionet lokale.
Sipas denoncimit, disa javë më parë, pas një konflikti, Erion Sinani dhe Hazbi Sinani kanë goditur djalin e Feta Sinanit me një mjet të fortë dhe me gur në kokë, ndërsa deri më sot, sipas tyre, nuk është marrë asnjë masë. Familja pretendon se gjatë ditës së sotme punonjës të Bashkisë Peqin, policia bashkiake, kryeplaku i fshatit Flori Sinani dhe përfaqësues të tjerë të bashkisë kanë shkuar për të hapur një rrugë të re në tokën që ata e konsiderojnë pronë të tyre. Ata thonë se kryefamiljari, Feta Sinani, është paralajmëruar me arrestim nëse kundërshton punimet, ndërsa pretendojnë se një nga fqinjët ka prerë pemët e tyre në prani të autoriteteve.
Familja deklaron se disponon dokumente pronësie dhe kërkon që institucionet të verifikojnë dokumentacionin, ligjshmërinë e ndërhyrjeve në terren, si edhe pretendimet për dhunë dhe dëmtim të pronës. Deri në një reagim zyrtar nga Bashkia Peqin, Policia e Shtetit dhe personat e përmendur në denoncim, të gjitha këto mbeten pretendime të familjes denoncuese.