Mes lajmeve të përditshme që shpesh dominohen nga ndodhi negative, një grup adoleshentësh shqiptarë kanë zgjedhur të përcjellin një mesazh krejt ndryshe: atë të solidaritetit, empatisë dhe shpresës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, disa të rinj nga një fshat i Pezës, në Tiranë, shfaqen duke qethur flokët në shenjë mbështetjeje për të gjithë personat që po përballen me kancerin. Me këtë gjest simbolik, ata kanë dashur t'u tregojnë se nuk janë vetëm në betejën e tyre.
Videoja shoqërohet me një mesazh sensibilizues në gjuhën angleze, i cili përcjell një emocion të veçantë:
"Ndonjëherë një sakrificë e vogël mund të thotë shumë... Prandaj vendosëm ta bënim së bashku. E bëmë së bashku për një arsye më të madhe se vetja jonë. Për të gjithë ata që po luftojnë me kancerin, qëndroni të fortë!"
Flokët mund të rriten sërish, por një gjest i tillë mbetet gjatë në kujtesë. Për shumë njerëz që përballen me kancerin, humbja e flokëve është një nga momentet më të vështira emocionalisht gjatë trajtimit. Pikërisht për këtë arsye, vendimi i këtyre adoleshentëve për t'u qethur së bashku është një simbol i fortë mbështetjeje, respekti dhe solidariteti.
Në një kohë kur shpesh flitet për sjelljet negative të të rinjve, këta adoleshentë kanë zgjedhur të japin një shembull frymëzues, duke treguar se humanizmi nuk njeh moshë dhe se edhe një gjest i vogël mund të japë shpresë dhe forcë për dikë që po kalon një nga betejat më të vështira të jetës.
Respekt maksimal për këta të rinj dhe për mesazhin e bukur që zgjodhën të përcjellin.