Një zbulim makabër ka tronditur banorët e zonës së Mystras në Greqi, ku policia ka gjetur trupin e pajetë të një të moshuari brenda një frigoriferi ngrirës, në bodrumin e një hoteli të mbyllur. Autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim të gjerë për të zbardhur rrethanat e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse.
Sipas raportimeve të mediave greke, dyshohet se viktima kishte ndërruar jetë prej 4 apo 5 vitesh. Megjithatë, vdekja e tij nuk u deklarua asnjëherë pranë institucioneve përkatëse, duke bërë që ai të figuronte ende si i gjallë në regjistrat zyrtarë.
Zbulimi i rastit erdhi pas një denoncimi të bërë pranë autoriteteve vendase. Pas marrjes së sinjalizimit, policia kontaktoi djalin e të moshuarit për të dhënë shpjegime dhe më pas e shoqëroi atë drejt ndërtesës së hotelit të mbyllur.
Gjatë kontrollit të hollësishëm në ambientet e bodrumit, efektivët gjetën frigoriferin ngrirës ku ndodhej trupi i pajetë. Mjekësia ligjore dhe hetuesit po punojnë për të përcaktuar me saktësi kohën dhe shkaqet e vdekjes së të moshuarit.