Zjarri në Mallakastër del jashtë kontrollit, evakuuohen 15 familje

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.08.2026, 19:44

Situata nga zjarri masiv në fshatin Rriban të Mallakastrës është rënduar ndjeshëm, pasi flakët janë përhapur me shpejtësi dhe janë afruar pranë banesave, duke detyruar autoritetet të evakuuojnë 15 familje.

Sipas Policisë, banorët janë larguar nga shtëpitë së bashku me bagëtitë dhe kafshët shtëpiake, për shkak të rrezikut nga avancimi i flakëve.

Zjarri ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe tokë, ndërsa era e fortë po vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen zjarrfikës, shërbimet e emergjencës, si dhe mjete ajrore, përfshirë helikopterë, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme drejt zonave të banuara.

Ndërkohë, Policia e Fierit ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit dhe po verifikon edhe pistën e një zjarrvënieje të qëllimshme. Zv.drejtori për Sigurinë Publike në DVP Fier, Taulant Gjoka, bëri me dije se disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për të mbledhur të dhëna që mund të ndihmojnë hetimin.

“Po kryhen veprimet hetimore për të grumbulluar të dhënat me interes dhe për të sqaruar statusin e tyre lidhur me dyshimet e arsyeshme që mund të ketë për një zjarrvënie të qëllimshme”, deklaroi Gjoka.

Autoritetet vijojnë punën për shuarjen e flakëve dhe u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes për të shmangur raste të tjera zjarresh.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit