Një ngjarje e rëndë është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila pretendon se bashkëshorti dhe vëllai i saj 15-vjeçar u përfshinë në një konflikt në zonën e Plepave, në Durrës, ku ky i fundit mbeti i plagosur me sëpatë.
Sipas denoncueses, konflikti nisi pasi një automjet i preu rrugën me shpejtësi bashkëshortit të saj dhe, sipas saj, pati edhe fyerje verbale mes drejtuesve të mjeteve. Ajo pretendon se bashkëshorti zbriti nga makina për t'u përballur me shoferin, ndërsa situata degradoi në përplasje fizike.
Qytetarja rrëfen se babai i drejtuesit të automjetit tjetër shkoi të hapte bagazhin për të marrë një sëpatë, por u ndalua nga vëllai i saj 15-vjeçar. Sipas saj, më pas një prej personave e goditi të miturin me sëpatë, duke i shkaktuar plagë në dorë.
Denoncuesja ka vënë në dispozicion të redaksisë edhe një video, për të cilën thotë se tregon momentet e konfliktit. Sipas saj, në pamje dallohet personi që mban sëpatën, ndërsa pretendon se 15-vjeçari nuk ushtron dhunë ndaj askujt.
Ajo ngre gjithashtu akuza për mënyrën se si është trajtuar rasti nga policia. Sipas pretendimeve të saj, bashkëshorti është mbajtur i shoqëruar në komisariat, ndërsa edhe vëllai 15-vjeçar është mbajtur për disa orë, pavarësisht se ishte i plagosur. Familjarët pretendojnë se e kanë dërguar vetë të miturin në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Qytetarja bën me dije se ka depozituar kallëzim lidhur me ngjarjen dhe kërkon që rasti të hetohet në mënyrë të paanshme.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Durrësit të japë një reagim zyrtar mbi këtë ngjarje, për të sqaruar rrethanat e konfliktit, statusin procedurial të personave të përfshirë dhe pretendimet e ngritura nga denoncuesja.