Nëse Hungaria të mbyll rubinetat dhe fondet e saj tradicionale fillojnë të thahen, ku tjetër mund të kërkojë shpëtim një oligark i prekur nga erërat e ftohta të politikës së re, përveçse në krahët mikpritës të Shqipërisë?
Në këtë skenë ku fjalët e mëdha diplomatike shërbejnë thjesht si letër mbështjellëse për marrëveshje prapa skenave, pronari hungarez i grupit 4iG dhe i kompanisë celulare One Telecommunication, Gellért Jászai, është shfaqur për të dytën herë brenda pak muajsh në Tiranë, duke zhvilluar takime private me kryeministrin Edi Rama për të siguruar kontrata të reja dhe për të mbajtur gjallë perandorinë e tij të lëkundur.
Ndërkohë që rënia e Viktor Orbanit nga pushteti dhe sulmet e hapura të kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar, e kanë shënjestruar 4iG-un si simbolin kryesor të korrupsionit të qeverisë së shkuar, ky fatkeq politik e biznesor është detyruar të braktisë fushat e zakonshme dhe të vërë synimin drejt fondeve publike e kontratave strategjike shqiptare.
Sipas mediave hungareze, ky takim i fshehtë i ndodhur tri ditë më parë është fokusuar jo vetëm te rishikimi i situatës së One Albania apo te mundësitë e bashkëpunimit në telekomunikacion, por ka depërtuar thellë në ujërat më fitimprurëse dhe më pak transparente të industrisë së mbrojtjes.
Aty, Jászai nuk ka humbur kohë për t'i deklaruar ministrit të mbrojtjes Ermal Nufi se dega e tyre e armatimeve dhe teknologjive të mbrojtjes është më shumë se e gatshme të marrë një rol strategjik në Shqipëri, duke premtuar gjoja zhvillim të kapaciteteve ushtarake vendase ndërkohë që aksionet e vetë kompanisë në Budapest kanë rëndësi jetike dhe kanë shënuar një rënie drastike prej 60 për qind që nga fillimi i vitit, duke rënë në kuotën e 1700 forintave për aksion.
Ndërkohë që rënia e lirë e tregjeve financiare nuk pyet për histori dashurie politike, aksionet e 4iG-ut kanë pësuar një goditje fatale duke humbur plot 60 për qind të vlerës së tyre që nga fillimi i vitit, për të zbritur frikshëm nga 4475 forinta në vetëm 1700 forinta për aksion.
E konsideruar gjerësisht si kompania më e ekspozuar politikisht në Hungari një gjigant i ushqyer ekskluzivisht përmes kontratave të drejtpërdrejta nga qeveria, ku bën pjesë edhe ajo kontrata e famshme sekrete prej 3.5 miliardë eurosh e lidhur pak javë para zgjedhjeve dhe e cila tani po premtohet se do të rishikohet rrënjësisht nga Magyarm kjo strukturë po shkon drejt një fundi të paralajmëruar.
Nuk është çudi pra pse, vetëm pak ditë më parë, agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters e futi grupin 4iG pikërisht mes atyre 4 kompanieve të rrezikuara për t'u zhdukur nga tregu pas rrotacionit politik në Hungari.
Duke u bërë bashkë me emra të tjerë të ekspozuar si konglomerati i ndërtimit dhe energjisë Opus Global, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Appeninn dhe MBH Bank, ky grup po paguan faturën e rëndë të humbjes së kontrollit politik, ndërkohë që burimet qeveritare dhe analistët e Reuters paralajmëroju se disa nga këto kompani thjesht do të shuhen.
E ndodhur mes litarësh në Budapest dhe e kërcënuar nga hapat e fundit të realitetit të ri politik, nuk mbetet gjë tjetër veçse të kuptohet qartësisht se përse Gellért Jászai i ka drejtuar sytë nga Shqipëria, duke kërkuar me ngulm strehë te kontratat dhe favoret qeveritare për të mbajtur në jetë atë që po i shembet nga duart në shtëpi.