Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka publikuar sot rezultatet e një aksioni të gjerë kontrolli në sektorin e qumështit, ku janë vërejtur shkelje të rënda në deklarimin e përbërësve. Nga 495 mostra të analizuara në laborator, janë identifikuar gjithsej 93 mospërputhje, prej të cilave 46 lidhen drejtpërdrejt me praninë e padeklaruar të vajit të palmës dhe yndyrave bimore.
Sipas Kryeshefit të AUV-së, Bekim Hoxha, një numër i madh operatorësh kanë përpunuar produkte me zëvendësues si vaj palme, yndyrë bimore apo qumësht pluhur pa poseduar autorizimet e nevojshme të veçanta.
Rezultatet e detajuara nga kreu i laboratorit në AUV, Kujtim Uka, nxjerrin në pah mospërputhjet te kompanitë dhe produktet e mëposhtme:
Abrazen (Qumështorja “Vita”): Prani e vajit të palmës së padeklaruar në produktin Qumësht, si dhe vaj palme i padeklaruar në produktin Holla Cream.
Abi SHPK: Vaj palme i padeklaruar në produktet Krem i freskët dhe Speca në krem.
Bylmeti: Vaj palme dhe yndyra bimore të padeklaruara në Krem pite për vakum dhe Schmand i freskët.
Elkos: Vaj palme i padeklaruar në produktet Mrekullia nga Ajka dhe Margarinë.
PRO EX: Vaj palme i padeklaruar në Krem për pite, Krem Budget, Gjizë, si dhe në lëngun me speca/speca me ajkë.
Aldi: Vaj palme dhe yndyra të padeklaruara në produktin Gjizë.
Ajka & Anor: Vaj palme i padeklaruar në Ajkë Schmand (Ajka) dhe Double Cream (Anor).
Delfini & Dauti: Vaj palme i padeklaruar në produktin Bianca (Delfini) dhe në Përgatitje ushqimore (Dauti).
Kompanitë të tjera të përfshira: Prani e vajit të palmës apo yndyrave të padeklaruara u gjet edhe te Gola (Kos me kajmak), Drena SHPK (Mazë tradicional), Korabi (Pavllak), Magic Ice (Gjizë), Best BT dhe Grandi (Margarinë Rosa).
Shënim: Kompania Lactalis SHPK doli pa shkelje në produktin e qumështit, ku nuk u detektua vaj palme.
Pas këtyre gjetjeve, AUV ka njoftuar se ka ndërmarrë menjëherë masa administrative ndaj shkelësve. Operatorëve u është kërkuar korrigjimi i menjëhershëm i etiketimeve, pajisja me lejet përkatëse dhe ndarja fizike e produkteve me origjinë shtazore nga ato me përbërje bimore.