20-vjeçari që shihni në foton e mësipërme është Antonio Mateli, i cili humbi jetën tragjikisht pasditen e djeshme si pasojë e një aksidenti rrugor në Ksamil.
Sipas të dhënave paraprake, i riu po drejtonte një furgon kur u përplas me një automjet tjetër në zonën e njohur si "Pema e Thatë". Menjëherë pas aksidentit ai u transportua me urgjencë drejt spitalit, por për shkak të plagëve të marra nuk arriti të mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.
Antonio Mateli ishte djali i vetëm i familjes dhe kishte një motër. Familja e tij njihej për jetën e thjeshtë dhe punën e palodhur ndër vite, duke u marrë me profesione të ndryshme për të siguruar jetesën, deri edhe me shitjen e farave në trotuar.
Miqtë dhe të afërmit e përshkruajnë Antonion si një djalë punëtor, të përkushtuar dhe gjithmonë pranë familjes.
Ai kishte punuar më parë në sistemimin e rafteve në një Market në Ksamil. Pasi u pajis me leje drejtimi, vendosi të ndryshonte punë dhe nisi aktivitetin në një magazinë të shpërndarjes së pijeve, duke furnizuar lokalet e zonës së Ksamilit.