Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indonezinë, ku një 35-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një piton gjigant, i cili më pas e gëlltiti të tërin.
Viktima, Hasim Lumbessy, ishte kthyer vetëm në këmbë nga një festë në orët e para të mëngjesit, kur po kalonte përgjatë një rruge pyjore në provincën North Maluku. Sipas autoriteteve lokale, rreth orës 03:00 ai u sulmua nga një piton me gjatësi rreth 7 metra, i cili e kapi fillimisht nga këmba.
35-vjeçari nuk arriti të çlirohej nga shtrëngimi i zvarranikut, i cili e mbyti dhe më pas e gëlltiti.
Kur Hasim nuk u kthye në shtëpi, familjarët nisën ta kërkonin. Gjatë kontrollit ata gjetën njolla gjaku, çantën e shpinës, sandalet dhe sende të tjera personale, çka i shtyu të njoftonin banorët e zonës dhe policinë.
Pas gjurmëve të lëna në pyll, grupi i kërkimit hasi një piton me bark të fryrë në mënyrë të pazakontë. Banorët e vranë gjarprin dhe, pasi i prenë barkun, gjetën brenda trupin e pajetë të 35-vjeçarit.
Trupi iu dorëzua familjes për ceremoninë mortore, ndërsa policia u ka bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet vetëm në zonat pyjore dhe të punojnë gjithmonë në grupe, pasi rajoni mbetet habitat natyror i pitonëve gjigantë.
Ky është rasti i tretë fatal i raportuar në të njëjtën provincë në një periudhë të shkurtër. Vetëm një muaj më parë, një 25-vjeçar humbi jetën pas një sulmi të ngjashëm, ndërsa më herët edhe një grua 44-vjeçare u vra nga një piton teksa kujdesej për bagëtinë.
Pitonët retikularë, që jetojnë në Azinë Juglindore, konsiderohen gjarpërinjtë më të gjatë në botë. Ata nuk përdorin helm, por i mbysin prenë duke e shtrënguar fort me trupin e tyre, përpara se ta gëlltisin të tërën.
Tronditëse në Indonezi: Një 35-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një piton rreth 7 metra i gjatë, i cili më pas e gëlltiti. Trupi i tij u gjet nga banorët brenda gjarprit. Më shumë: https://t.co/SQYIiktp5V pic.twitter.com/KGBl6pfyr2
— JOQ Albania (@JoqAlbania) August 3, 2026