Nëna me djalin e paralizuar në protestë, 10-vjeçari ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.08.2026, 22:55

Linku i GoFundMe

Protesta qytetare, që këtë të hënë hyri në ditën e saj të 65-të, po shndërrohet jo vetëm në një hapësirë reagimi ndaj problemeve të vendit, por edhe në një vend ku shqiptarët po ndihmojnë njëri-tjetrin në raste të vështira që prej vitesh kanë mbetur pa zgjidhje.

Gjatë tubimit përballë Kryeministrisë, Rei Sulejmani, një i ri që ka ardhur nga Italia për t'iu bashkuar protestës, ka bërë apel për të mbështetur Danielin, një djalë 10-vjeçar nga Rrogozhina, i cili prej foshnjërisë është i paralizuar dhe ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

Në video, pranë Reit ndodhet edhe nëna e Danielit, e cila kishte ardhur në protestë së bashku me djalin e saj në karrocë. Apeli i bërë nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit" ka prekur shumë qytetarë, ndërsa fushata në GoFundMe ka marrë mbështetje të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të fundit, janë mbledhur mbi 14 mijë euro, ndërsa nevojiten edhe rreth 12 mijë euro për të arritur objektivin prej 26 mijë eurosh, shumë që do të përdoret për trajtimin dhe nevojat jetike të Danielit.

Gjatë videos, Rei Sulejmani ndër të tjera shprehet:

"Kjo është dita e dytë. Janë mbledhur mbi 13 mijë e 500 euro, na duhen edhe rreth 13 mijë euro për të shkuar në 26 mijë euro. Një shumë që është sa një shishe verë e kryeministrit. E kemi financuar kryeministrin me verëra, por nuk po arrijmë të ndihmojmë një familje që të paktën të marrë frymë për disa muaj."

Sipas përshkrimit të fushatës, Danieli pësoi një hemorragji cerebrale kur ishte vetëm 6 muajsh, çka e la të paralizuar. Ai vuan gjithashtu nga kriza të shpeshta epileptike dhe ka nevojë për medikamente të vazhdueshme, një pjesë e të cilave nuk gjenden në Shqipëri dhe kanë kosto shumë të lartë.

Nëna e tij nuk mund të punojë pasi kujdeset 24 orë për djalin, ndërsa babai, pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk është në gjendje të punojë rregullisht. Familja ka edhe një vajzë 12-vjeçare dhe e ka të pamundur të përballojë shpenzimet e trajtimit.

Historia e Danielit është kthyer në një tjetër shembull se si protesta qytetare, përveç mesazheve politike e sociale, po krijon edhe një frymë solidariteti, ku qytetarët bashkohen për të ndihmuar familjet në nevojë, në raste kur mbështetja institucionale ka munguar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit